Site icon Telegrafi

Priti ekzekutimin e dënimit me vdekje për gjysmë shekulli, japonezit tani i është miratuar kërkesa për rigjykim

Japonezi që priti dënimin me vdekje për gjysmë shekulli, i është miratuar kërkesa për rigjykim.

Iwao Hakamada, tani 87-vjeç, është i dënuari me vdekje me “me stazhin më të gjatë” në botë, sipas organizatës së pavarur të të drejtave të njeriut Ammnesty International, transmeton Telegrafi.

Ai u dënua me vdekje në vitin 1968 për vrasjen e shefit të tij, gruas dhe dy fëmijëve të tyre në vitin 1966.

Ish-boksieri profesionist pranoi fajin pas 20 ditësh marrje në pyetje gjatë së cilës, siç pretendon ai, është keqtrajtuar. Më vonë e tërhoqi rrëfimin e tij në gjykatë, shkruan BBC.

Policia japoneze është mbështetur tradicionalisht në rrëfimet e të pandehurve për t’i sjellë ata në gjyq, por kritikët paralajmërojnë se rrëfimet shpesh ndodhin për shkak të dhunës që ushtrohet ndaj tyre.

Në gjyqin e ri, gjyqtarët do të shqyrtojnë nëse ADN-ja nga gjaku i gjetur në rrobat e veshura nga vrasësi, përputhet me ADN-në e Hakamada.

Avokatët e tij pretendojnë se ai nuk mban përgjegjësi dhe se provat kundër tij janë të fabrikuara.

Në vitin 1966, Hakamada ishte rreth të tridhjetave dhe sapo ishte tërhequr nga boksi, pasi u rendit i gjashti në kategorinë e peshës së lehtë në Japoni.

U punësua në një fabrikë të përpunimit të ushqimit në qytetin Shimzu, dhe po atë vit në qershor, shefi, gruaja dhe fëmijët e tij ishin gjetur të therur për vdekje me thikë.

Në vitin 2014, Hakamada u lirua nga burgu dhe i është miratuar kërkesa për rigjykim nga i cili u zbulua se hetuesit mund të kishin vendosur prova, por ky vendim u rrëzua më vonë nga Gjykata e Lartë e Tokios. Avokatët më pas apeluan dhe u miratua një gjykim i ri.

“Kam pritur këtë ditë për 57 vjet. Më në fund, një barrë më është hequr nga supet”, tha motra e Hakamada, Hideko (90), e cila bëri fushatë në emër të vëllait të saj për vite me radhë.

Por procesi i rigjykimit mund të zgjasë me vite nëse prokurorët apelojnë.

“Ne nuk mund të lejojmë të vonojmë më tej trajtimin e Hakamada, i cili tani është 87 vjeç dhe vuan nga sëmundje mendore dhe fizike, pasi kaloi 47 vjet në burg”, tha Motoji Kobayashi, kreu i Odës së Avokatëve të Japonisë. /Telegrafi/

Exit mobile version