Site icon Telegrafi

Pas sezonit veror pritet të rriten çmimet e produkteve bujqësore në tregun e Gjilanit

Produktet bujqësore në tregun e qytetit të Gjilanit pritet të shënojnë rritje gjatë muajve në vijim.

Në një prononcim për Telegrafin, drejtori i ndërmarrjes “Tregu”, Avdyl Jerliu, tha se tani në muajin shtator dhe tetor çmimet rriten gradualisht, derisa për festat e fundvitit pritet çmime edhe më të larta.

“Pas kontaktit me disa tregtarë në treg, pritet që në muajin shator dhe tetor, çmimet e produkteve të pemëve dhe perimeve rriten gradualisht nga muaji në muaj dhe pikun e rritjes e arrijnë për festat e fundvitit”, ka thënë Jerliu.

Sipas tij, kjo rritje vazhdon deri nga fundi i prillit, ndërsa sipas tij në fillim të muajit maj fillon ulja e çmimeve.

Jerliu thekson se arsyeja kryesore e krejt kësaj rritje është importi, sepse sipas tij, shumica e produkteve bujqësore importohen.

“Arsyeja e krejt këtyre rritjeve është importi sepse shumica e këtyre produkteve importohen. Andaj, nga tash e deri nga fundviti çmimi i shumë produkteve dyfishohet”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/

Exit mobile version