Site icon Telegrafi

Pritet aprovimi i tarifës prej pesë eurosh në ditë për hyrjen e turistëve në Venecia

(Foto: Getty Images)

Qyteti italian i Venecias ka të ngjarë të miratojë një tarifë hyrje prej 5 eurosh për turistët. Është një periudhë testimi që synon kontrollin e turizmit.

Të gjithë vizitorët mbi 14 vjeç do të duhet të paguajnë për qëndrimin ditor, por gjithashtu duhet të prenotojnë hyrjen në qytet. Anëtari i këshillit bashkiak për turizmin, Simone Venturini, tha se periudha e testimit do të zgjasë gjatë pikut të turizmit në vitin e ardhshëm.

“Venecia është ndër qytetet më të vizituara në Evropë dhe vuan shumë për shkak të turizmit të tepruar”, citon BBC fjalët e tij.

Ky është pikërisht problemi që po ngjet për Venecia. Sipërfaqja e qytetit është vetëm 7.6 kilometra katrorë, ndërsa në vitin 2019 ishte vizituar nga 13 milionë turistë. Numri i turistëve pritet t’i tejkalojë këto shifra në vitet e ardhshme.

Lexo po ashtu Për shkak të shumë turistëve, Venecia do të paguajë një tarifë hyrjeje në pranverë

“Qëllimi është që turistët të mos zgjedhin ditët e pikut. Ne duam ta testojmë këtë sistem dhe ta përmirësojmë nëse është e nevojshme”, ka shtuar Venturini.

UNESCO njoftoi në fillim të këtij viti se qyteti duhet të shtohet në listën e vendeve të trashëgimisë botërore të rrezikuara, pasi ndikimi i ndryshimeve klimatike dhe turizmi masiv kërcënojnë të shkaktojnë ndryshime të pakthyeshme në Venecia.

Në vitin 2021, anijet e lundrimit u ndaluan të hynin në qendrën historike të qytetit nëpërmjet kanalit Giudecca pasi një anije goditi portin. Kritikët pohojnë se anijet po ndotin dhe shkatërrojnë themelet e qytetit, i cili vuan rregullisht nga përmbytjet.

Është e vështirë të thuhet nëse futja e tarifimit do t’i zmbrapsë turistët. Disa thanë se çmimi prej pesë eurosh nuk i shqetësonte fare dhe shumë turistë pajtohen se duhet bërë diçka për ta mbrojtur Venecian. Në ndërkohë, gjithnjë e më shumë banorë të Venecias vendosin të largohen nga qyteti. /Telegrafi/

Exit mobile version