Telegrafi

Prishtina triumfon minimalisht në duelin ndaj kampionit të Kazakistanit

Prishtina ka shënuar fitore me rezultat minimal 1-0 në ndeshjen miqësore ndaj kampionit të Kazakistanit, FC Ordabasy.

Kjo njëherësh ishte ndeshja e parë që Prishtina e luajti në kuadër të fazës përgatitore në kampin në Turqi.

Fitoren në këtë takim bardhekaltërve ia dha sulmuesi Hasan Hyseni, i cili shënoi një gol të bukur nga një distancë e konsiderueshme, duke paraboluar portierin kundërshtar.

Në këtë ndeshje trajneri Emmanuel Egbo u dha mundësinë që të marrin minuta pothuajse të gjithë lojtarëve që kishte në dispozicion.

Fokusi i kryeqytetasve tashmë do të zhvendoset në finalen e Superkupës së Kosovës, aty ku do të përballen me kampionin në fuqi të elitës Ballkanin./Telegrafi/