Skuadra më e madhe kosovare, Prishtina ka arritur të triumfojë bindshëm në ndeshjen e kthimit ndaj Europa FC.
Kryeqytetasit kanë triumfuar me rezultat të thellë 5-0 në një ndeshje ku dominuan nga minuta e parë e deri në fund.
Goli i parë erdhi vetëm pas nëntë minutave nga penalltia.
Basit Khalid u pengua në zonë dhe gjyqtari akordoi penallti, ku i saktë ishte kapiteni Armend Dallku për 1-0.
Katër minuta më vonë kryeqytetasit e dyfishuan epërsinë ku shënoi këmbëshpejti Gauthier Makenda për 2-0.
Prishtina vazhdoi ofensivën dhe arriti edhe golin e tretë në minutën e 35-të.
Ishte përsëri kapiteni Armend Dallku që shënoi nga penalltia për epërsinë e trefishtë të Prishtinës.
Me epërsinë 3-0 të bardh e kaltërve përfunduan 45 minutat e para.
Fituesit e Kupës së Kosovës e nisën fuqishëm edhe pjesën e dytë, ku shënoi Ahmed Jonuzi për 4-0.
Ndërkohë golin e fundit në këtë sfidë e shënoi zëvendësuesi Mërgim Pefqeli për 5-0.
Kësisoj Prishtina për herë të parë kalon rrethin parakualifikues dhe do të luaj në rrethin e parë të Ligës së Evropës.
Në rrethin e parë kryeqytetasit do të përballen me skuadrën nga Luksemburgu Fola. /Telegrafi/