Site icon Telegrafi

Prishtina shkatërron Trepçën ’89 dhe kalon në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës

Prishtina ka fituar me rezultat të thellë 5-1 ndaj Trepçës ’89 në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Kosovës, duke siguruar një vend në gjysmëfinale të kësaj gare.

Ekipi i Emmanuel Egbo ishte i pamëshirshëm ndaj kundërshtarit mitrovicas nga Liga e Parë, pasi kreu epilogun e fituesit në 45 minutat e parë.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim absolut të Prishtinës, e cila përveç rasteve të shumta arriti të shënoj edhe kater gola.

Goli i parë i kryeqytetasve erdhi pas vetëm nëntë minutave lojë me Leotrim Kryeziun, i cili shënoi nga afërsia për 1-0, ndërsa Ardian Muja (25’) shënoi një gol të bukur për 2-0.

Në minutën e 40-të ishte Mërgim Pefqeli, i cili shënoi nga pika e bardhë për 3-0, ndërsa në minutën e 44-të sulmuesi Hasan Hyseni shënoi një supergol për të dërguar ekipet në pushim me rezultat 4-0.

Në pjesën e dytë, trajneri Egbo bëri disa ndryshime për të ruajtur lojtarët kryesor dhe u zhvillua lojë deri diku e barabartë, me mysafirët që shënuan një gol të parët, ndërsa vendasit më vonë shënuan për rezultatin përfundimtar.

Mysafirët shënuan në minutën e 72-të me anë të Egzon Jasharit për rezultatin 4-1, ndërsa Igball Jashari shënoi në minutën e 82-të për rezultat 5-1, i cili doli të ishte rezultati përfundimtar i ndeshjes.

Pas kësaj fitore, Prishtina kalon në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës dhe do të takohet me njërën nga skuadrat fituese të dueleve: Dukagjini-Drita, Malisheva-Ballkani dhe Vjosa-Suhareka. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version