Telegrafi

Prishtina rikthehet te fitoret, triumfon me rezultat të ngushtë ndaj Vllaznisë

Skuadra nga kryeqyteti kosovar, Prishtina është rikthyer tek fitoret pasi ka mposhtur në shtëpi me rezultat minimal 2-1 Vllazninë e Pozhoranit.

Prishtina e nisi më mirë takimin duke tentuar shënimin e golit të parë qysh në minutat e para të kësaj sfide.

Megjithatë goli i parë në këtë sfidë nuk vonoi dhe erdhi pasi kaluan 17 minuta lojë.

Mentor Mazrekaj harkoi bukur në zonë, ndërsa Makenda shënoi me kokë për 1-0.

Mesfushori malazez, Bozhovic ishte pranë golit kur qëlloi shtyllën pasi kishin kaluar 30 minuta lojë.

Kryeqytetasit shënuan edhe golin e dytë në këtë sfidë në minutën e 34-të.

Ishte sulmuesi afrikan, Basit Khalid që realizoi pas një aksioni të gjatë të vendasve.

Katër minuta më vonë, mysafirët nga Pozhorani e ngushtuan epërsinë e prishtinasve.

Ron Statovci asistoi bukur në zonë, ndërsa Alban Shillova realizoi për 2-1, me të cilin rezultat përfundoi pjesa e parë.

Vllaznia kërkonte me ngulm golin e barazimit në pjesën e dytë por një gjëje të tillë nuk ia arritën.

Në minutën e 80-të, Prishtina mbeti me 10 futbollistë në fushë pasi mbrojtësi anësorë Lorik Maxhuni u përjashtua pas goditjes me bërryl që i bëri kundërshtarit.

Megjithatë deri në fund të ndeshjes rezultati mbeti i pandryshuar dhe Prishtina u rikthye tek fitoret pas barazimit në mesjavë ndaj Drenicës.

Pas këtyre tri pikëve, kryeqytetasit ndodhën në pozitën e dytë në tabelë me 10 pikë të tubuara, ndërsa Vllaznia e Pozhoranit në pozitën e 11 me vetëm tri pikë. /Telegrafi/