KF Prishtina sot ka prezantuar tre përforcimet e saj të radhës, që janë dy sulmues dhe një mbrojtës.
“Dy kongolezët, Gauthier Mankenda dhe Flory Mbenza Ilenda dhe ganezi, Basit Abdul Khalid, i cili është rekomanduar nga skuadra e Bundesliga II, Greuther Furth”, ka shkruar Prishtina në faqen zyrtare, transmeton Koha.net.
Gauthier Mankenda, i lindur më 20 korrik 1997 në Kongo, në stinorin vjeshtor është paraqitur për Vushtrrinë, kurse për Prishtinën ka luajtur në dy ndeshje kontrolluese gjatë fazës përgatitore të dimrit. Ai luan sulmues krahu, ka bërë të ditur klubi nga kryeqyteti.
Kurse Basit Abdul Khalid është i lindur në Ganë më 10 gusht 1996, dhe luan si qendër sulmues. Prishtina njofton se Flory Mbenza Ilenda,është i lindur në Kongo më 15 qershor 1998, dhe luan në pozitën e mbrojtësit.
Përveç tyre Prishtina thotë se, “më parë, kanë arritur edhe tre futbollistë tjerë të ri, po nga Kongo dhe që pritet të angazhohen në skuadrën e re juniore, Palvie Mukusa Mulaba (12 prill 1995, Kongo), Landry Yongo Yoka (4 gusht 1998, Kongo) dhe Igue Imama Ifeme (1 janar 1998, Kongo)”.