Telegrafi

Prishtina pret fitore ndaj Besës, Leonit Abazi thotë se nuk duhet të lëshojnë më pikë

Prishtina në katër ndeshje të zhvilluara në Superligën e Kosovës, ka arritur një fitore, dy barazime dhe një humbje, duke pasur një start jo siç e kanë pritur kryeqytetasit.

“Bardhekaltërit” këtë të shtunë në “Fadil Vokrri” do të jetë nikoqir i Besës së Pejës ku presin fitore nga ky takim.

Futbollisti i Prishtinës, Leonit Abazi pret që nga kjo ndeshje të dalin me tre pikë.

“Kundërshtari i nesërm është emër i njohur, ndoshta në skuadër nuk kanë emra të mëdhenj, por janë lojtarë të mirë dhe të talentuar, andaj duhet respektuar maksimalisht”.

“Ndërsa ne kemi lëshuar disa pikë që nuk duhej lëshuar dhe tani duhet rikuperuar ato pikë duke filluar që nga ndeshja e nesërme”.

“Patjetër që nga përballja me Besën duhet të marrim tre pikët e pastaj t’i marrim të gjitha ndeshjet tjera me radhë, sepse në vazhdim kemi orar shumë të ngjeshur, ndeshje në çdo tre ditë, për çka duhet të jemi maksimalisht të përqendruar”,  ka thënë Abazi për faqen zyrtare të Prishtinës.

Prishtina dhe Besa përballen të shtunën, më 17 tetor, me fillim nga ora 14:00. /Telegrafi/