Telegrafi

Prishtina nuk ia del, barazon ndaj St Joseph’s

Prishtina nuk ka arritur më shumë se një barazim 1-1 para tifozëve të vet ndaj St Joseph’s në kuadër të Ligës së Evropës.

Prishtina e nisi e mirë takimin duke sulmuar kundërshtarin dhe e gjeti golin pas 28 minutave lojë.

Ishte sulmuesi i ardhur nga Flamurtari, Alban Shillova që u ndal në mënyrë të palejueshme dhe gjyqtari akordoi penallti.

Përgjegjësinë e morri kapiteni Armend Dallku që u tregua i saktë nga 11 metra.

Por epërsia e Prishtinës nuk zgjati më shumë se tre minuta dhe mysafirët barazuan rezultatin në 1-1.

Ishte sulmuesi anësor Juanfri që barazoi rezultatin në 1-1 pas asistimit nga Boro.

Prishtina tentoi të shënonte golin e fitores por nuk ia doli edhe pse tentoi vazhdimisht.

Kësisoj kryeqytetasit do të tentojnë kualifikimin në raundin tjetër pas një jave në ndeshjen kthyese që luhet në Gjibraltar. /Telegrafi/