Site icon Telegrafi

Prishtina niset për në Gjermani, merr pjesë në katër turne

Ekipi i FC Prishtinës që përfaqëson klubin në katër turnetë e futbollit të vogël në Gjermani, ka udhëtuar sot për Hanover të Gjermanisë. Në Gjermani, skuadrën e pret drejtori sportiv i klubit – më i merituari për pjesëmarrjen e Prishtinës në këto turne, Lutz Lindemann.

Me skuadrën kanë udhëtuar, dy trajnerët, Sami Sermaxhaj e Fadil Berisha, si dhe menaxheri, Arsim Thaqi dhe 16 futbollistë, Alban Muqiqi, Visar Bekaj, Ardit Nika dhe futbollistët, Lorik Boshnjaku, Endrit Krasniqi, Shend Kelmendi, Gentrit Dumani, Genc Hamiti, Basit Abdul Khalid, Gauthier Mankenda, Agon Xhaka, Blend Baftiu, Granit Jashari, Kastriot Selmani, Arbër Hoxha dhe Bleon Sekiraqa, kurse në Gjermani, skuadrës i bashkohet edhe futbollisti, Beqir Vatovci. Vatovci, verës ka qenë në prova në skuadrën tonë dhe luan si mbrojtës i krahut të djathtë.

S. Sermaxhaj: Të prezantohemi me talente, edukim, përformancë dhe rezultate pozitive

“Duke marr parasysh se gjendemi ne fazën kalimtare, kemi realizuar përgatitje optimale për të përballuar suksesshëm turnirët katër ditor. Programi ka qenë i fokusuar në përmirësimin e kapacitetit anaerob përmes lojërave tekniko-taktike. Realizimi i këtyre përgatitjeve është bërë në kompleksin sportiv, “Prince”, që ofron kushte afërsisht të ngjashme me ato të turnirëve. Duhet potencuar që këto përgatitje janë realizuar me lojtarë te rinj dhe do të jenë bazë e mirë për garat kampionale në pranverë. Ndërsa, në turne pres të prezantojmë klubin Prishtina, pse jo edhe futbollin e Kosovës, me talente, edukim, përformancë dhe normalisht edhe me rezultate pozitive”, ka thënë, trajneri Sami Sermaxhaj, që sëbashku me trajnerin Fadil Berisha, kanë përgatitur ekipin këtë muaj.

Alban Muqiqi: Nga katër turnirët, t’i fitojmë dy prej tyre

“Kemi punuar rregullisht dhe mendoj se po shkojmë me formën optimale dhe jemi qindpërqindtë gati për turnirët. Do të shkojmë për treguar lojë të mirë  dhe angazhuese. Kushtet në Kosovë nuk lënë për të dëshiruar shumë, mirëpo klubi me këto kushte që ka, na ka mundësuar që të përgatitemi shumë mirë. Pres që prej katër turnirëve të fitojmë dy prej tyre”.

Endrit Krasniqi: Nuk i dihet, ndonjëri nga ne mund të mbesë në skuadrat gjermane

“Besoj se kemi bërë përgatitje optimale, ndoshta jo tamam për kampionat, por nuk e kemi humbur formën që e kemi pasur në vjeshtë. Ndërsa, nga turnirët pres sukses, sepse nuk do të shkojmë vetëm sa për ta vizituar Gjermaninë, por kam besimin se mund të kemi paraqitje të mira. Kurse, duhet falënderuar kryetarit të klubit që na ka mundësuar shkuarjen në turnire, por edhe nuk i dihet fatit, sepse mund të ketë edhe menaxher të ndryshëm e që mbase, shpresoj, ndonjëri nga ne edhe të mbesë në ndonjë skuadër gjermane. Fushat e treningut pothuajse i kemi pasur të njëjta si atje që do të luajmë, treningët kanë qenë të përshtatura për këto aktivitete dhe me përgatitjet e bëra jemi dhe besoj se e kemi kapur lojën e futbollit të vogël dhe mbetët të shihet”.

Lorik Boshnjaku: Kemi grup shumë të fort lojtarësh që posedojnë cilësi e kompaktësi

“Mendoj që një pjesë të madhe të përgatitjeve e kemi kryer gjatë kësaj pjese sa kemi stërvitë dhe besoj që jemi shumë të gatshëm për këta turnirë. Shpresoj që tregojmë cilësi, ndërsa me kushtet mund të them se është vështirë, pasi që ambientet e mbyllura janë paksa më të mundimshme, por tek e fundit është njësoj për të gjitha ekipet,  kështu që nuk paraqet ndonjë problem për ne. Dhe, jam i bindur se mund të përfundojmë në vendet e para në këto turnire, pasi kemi një grup shumë të fort lojtarësh që posedojnë cilësi e kompaktësi”.

Shend Kelmendi: T’i fitojmë katër turnirët, përse jo

“Jemi përgatitur mjaft mirë. Kemi punuar çdo ditë intensivisht. Edhe pse dihet që ne nuk jemi mësuar të luajmë në këso turnirësh dhe që dallon nga fushat e mëdha, por shpresoj që ne do t’ia dalim mirë dhe nga turnirët pres të fitojmë të gjithë të katërtit, përse jo”.

Exit mobile version