Site icon Telegrafi

Prishtina në kualifikimet e Ligës së Evropës (Video)

Prishtina ka fituar Kupën e Kosovës në një atmosferë fantastike që e krijuan ‘Plisat’ dhe ‘Intelektualët’ dhe me këtë rast, shtetin tonë do ta përfaqësojë në kualifikimet për Ligën e Evropës.

Prishtina ka arritur të triumfojë në stadiumin e kryeqytetit kundër Dritës me rezultat 2-1 në saje të superzëvendësuesit Khalid.

Në fakt, pjesa e parë përfundoi në favor të skuadrës gjilanasve, e cila 45-minutshin e parë e përfundoi me epërsi minimale prej 1-0.

Drita kaloi në epërsi në minutën e 30-të të takimit përmes golit të Qëndrim Sejdiut. Ky i fundit shënoi pas asistimit të Xhevdet Shabanit, i cili shëtiti mbrojtjen e skuadrës prishtinase duke i kaluar tre futbollistë, raporton Telegrafi.

Por, prishtinasit përmbysën gjithçka në pjesën e dytë duke realizuar dy gola përmes sulmuesit nigerian, Khalid.

Fillimisht, Kreshnik Lushtaku përmes një roveshate goditi shtyllën në minutën e 63-të takimit pas një dalje të gabuar të portierit, Betim Halimit.

Ky i fundit sërish gaboi pas një harkimi të Endrit Krasniqit, e cila gjë i mundësoi të barazojë rezultatin sulmuesit Khalid.

Po,r me kaq nuk u ndal superzëvendësuesi Khalid, i cili sërish shënoi gol për ta përmbysur rezultatin dhe ta kalojë në epërsi skuadrën prishtinase në minutën e 76-të takimit.

Vetëm katër minuta më vonë Drita pati rast të artë për të barazuar rezultatin përmes Armend Kastratit, por ky i fundit nuk u tregua i saktë nga pesë metra largësi prej golit të prishtinasve.

Në vazhdim më nuk pati raste për t’u veçuar dhe kështu Kupa e Kosovës i takoi Prishtinës në saje të triumfit me rezultat 2-1.

Pas kësaj fitoreje, Prishtina është ekipi i dytë që do ta përfaqësojë Kosovën në garat evropiane për klube, përkatësisht në kualifikimet e Ligës së Evropës.

Kujtojmë se tashmë Feronikeli ka fituar të drejtën që të luajë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, pasi që javë më parë ka arritur të mbrojë titullin e kampionit të Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version