FC Prishtina ka fituar Superkupën Kosovë/Diasporë, pasi ka shënuar fitore kundër FC Kastrioti Stukenbrock, në ndeshjen e zhvilluar në Kampin Nacional në Hajvali, me rezultat 4:0.
Para fillimit të ndeshjes presidenti Agim Ademi dhe kryetari i FSHFGJ-së, Ruzhdi Statovci nderuan me plaketë dhe mirënjohje futbollistin e Kastriotit, Naim Pajaziti, i cili në këtë ndeshje u përshëndet nga futbolli aktiv.
Ashtu siç pritej bardhekaltrit e kryeqytetin e dominuan ndeshjen, por edhe skuadra nga Diaspora dëshmoi organizim të mirë dhe madje në disa raste edhe u shfaq kërcënuese.
Megjithatë, rezistenca e Kastriotit u thye në minutën e 65-të, kur Diar Halili shënoi për 1:0, teksa në minutat e fundit Prishtina u shfaq edhe më efikase, duke realizuar edhe tre gola tjerë përmes: Albin Krasniqit (85′), Hasan Hysenit (88′) dhe Jalen Miller Blesas (90′).
Në fund medaljet për dy ekipet i ndanë nënkryetari Agim Dibrani dhe anëtarja e KE të FFK-së, Vjollca Krasniqi, derisa trofeun e këtij aktivitetit për kapitenin e Prishtinës, Mërgim Pefqeli e ndau presidenti Agim Ademi./Telegrafi/