Edhe për katër vitet e ardhshme dy mesfushorët do të mbrojnë ngjyrat e Prishtinës.
Endrit Krasniqi dhe Lorik Boshnjaku konsiderohen si dy mesfushorët më të mirë në Superligë.
Dhe, që të dy blindohen nga Prishtina edhe për katër vitet e ardhshme.
Që të dy futbollistët kanë pasur edhe për një vit e gjysmë kontratë valide me skuadrën, por, paraqitja e përkryer shpaguhet me jetëgjatësinë që i ofron klubi në gjirin e saj, tani më deri në qershor të vitit 2020.
“Përse kaq gjatë dhe përse me Prishtinën? Sepse, Prishtina është klubi më i madh në vend, më i trofeshmi dhe mbi të gjitha të ofron të dalësh në arenën ndërkombëtare, o me të së bashku, o përmes saj”, ka qenë deklarata njëzëri e të dy futbollistëve.
Prezent në zgjatjen e kontratës ka qenë, drejtori sportiv, Lutz Lindemann, drejtori gjeneral, Sokol Krasniqi dhe kryetari i FC Prishtina, Remzi Ejupi, me që rast tha:
“Kemi thënë se të gjithë talentet e vendit e kanë vetëm një klub me të ardhme të sigurt, e ai klub dihet kush është, Prishtina. Pra, edhe Prishtina do të bëjë çmos që t’i ketë në gjirin e saj të gjithë talentet dhe t’i shpaguaj mundin që e meritojnë. Dhe, këtë mundë të arrijë vetëm Prishtina. Dhe vetëm me Prishtinën së bashku do t’ia dalim të shkojmë sa më larg në Evropë”, ka thënë, Ejupi.