Biblioteka “Fan Noli” në Gjilan po përballet prej një jave me prishje të sistemit të ngrohjes, çka po krijon vështirësi të mëdha në mbarëvajtjen e punës dhe mirëqenien e stafit dhe vizitorëve.
Sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit të bibliotekës, Qazim Azizi, problemi lidhet me dëmtimin e çillerëve të ngrohjes. Ndërsa është angazhuar një mjeshtër për servisimin e tyre, deri tani nuk është gjetur zgjidhje.
“Për shkak të ftohtit dhe pamundësisë për të mbajtur temperaturat e duhura, kam propozuar që stafi të punojë me orar të shkurtuar, pasi objekti është shumë i madh dhe është e pamundur të ngrohet me disa pajisje të vogla që kemi sjellë nga shtëpia”, tha Azizi.
Ai shtoi se kjo situatë po ndikon negativisht edhe tek vizitorët, përfshirë studentët dhe nxënësit që përdorin ambientet e bibliotekës për të mësuar.
“Disa prej tyre kanë sjellë pajisje ngrohëse nga shtëpitë e tyre për të vazhduar mësimin, ashtu si edhe ne punëtorët. Ndërsa hapësira për fëmijët aktualisht nuk është funksionale,” theksoi ai.
Azizi bëri të ditur se, përveç dërgimit të emaileve kryetarit të komunës dhe drejtorit të kulturës, është takuar personalisht me drejtorin e Drejtorisë së Kulturës, Kushtrim Zeqiri, por ende nuk ka marrë një përgjigje konkrete për zgjidhjen e problemit.
Nga ana tjetër, Zeqiri konfirmoi se është në dijeni të situatës dhe se për zgjidhjen përfundimtare mund të duhet deri në dy javë.
“Çillerët nuk janë servisuar që nga momenti kur kemi kaluar në objektin e ri dhe dëmtimet janë serioze. Po presim një vlerësim të kostos nga mjeshtri për të vendosur hapat e mëtejshëm”, tha ai.
Biblioteka e Gjilanit, e cila u transferua në një ndërtesë moderne prej 4,000 metra katrorë në vitin 2017 falë mbështetjes së donatorëve të Bashkimit Evropian, aktualisht po përballet me një sfidë serioze që kërkon zgjidhje të shpejtë për të ruajtur funksionalitetin dhe standardet e saj. /Telegrafi/