Dita finale e turneut ‘Prishtina Open’, siç është pritur, ishte shumë e ngjeshur sa i përket numrit të madh të ndeshjeve, por pati edhe shumë, shumë ndeshje të mira e interesante. Befasi e këndshme ishte prania e shikuesve, të cilët i mbushën shkallët e Palestrës së Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
Para dite u luajtën ndeshjet për grup-moshën nën 13 vjeç. Te vajzat, Vlera Beqa nga Kosova e mundi Ana Kokoneshin nga Shqipëria në lojë për vendin e tretë, kurse Kristina Heim në finale e mundi Bojana Joveskën e Maqedonisë së Veriut.
Te meshkujt, vendin e tretë e zuri, Muhamet Mudut, kurse Rejan Krasniqi të katërtin, ndërkaq Matej Batuna nga Sllovakia e fitoi vendin e parë, pasi e mundi maqedonasin Markovski 3:1 në seta.
Te seniorët, lojtaret nga Kosova arritën suksese të dalluara pasi fituan dy nga katër vendet e para. Shega Hashani luajti në finale, kundër rumunes Andrea Postudor dhe u mund 3:0 në seta, kurse në ndeshjen për vendin e tretë Lene Osmani e mundi gjermanen Krisrina Heim me 3:0 në seta.
Te seniorët pati shumë pjesëmarrës dhe një numër i madh prej tyre ishin nga shtetet tjera. Megjithatë, edhe lojtarët tanë zhvilluan ndeshje të mira dhe u eliminuan me rezultate të ngushta, siç ishte rasti i Rrahman Ademajt nga turku Batuhan Shahin, Milot Makollit nga ukrainasi Naplokov, Fatih Karabaxhaku nga turku Mustafa Atakul etj.
Gjysmëfinalet ishin me ngjyra ukrainase dhe turke. Naplokov dhe Chonobaiev u ndeshën në gjysmëfinalen e pare dhe Naplokov fitoi me meritë për të kaluar në finale. Në gjysmëfinalen e lojtarëve turq, më i mirë doli Batuhan Uluxhak.
Finalja ishte përplasje ndërmjet shkollës ukrainase të pingpongut që karakterizohet me mënyrën mbrojtëse dhe ajo turke sulmuese. Secili lojtar e fitoi nga një set, por pastaj Uluxhak e dominoi ndeshjen dhe fitoi me rezultatin 3:1 në seta.
Organizatori, për fituesit ndau shpërblime në medalje, e kupa si dhe çmime në të holla. Vendi i pare te meshkujt fitoi 1000 euro, kurse te femrat 700 euro.
Renditja
U13
Vajzat
1.Krisrina Heim (GER)
2.Bojana Jovevska (NMK)
3.Vlera Beqa (KOS)
Meshkujt
1.Matej Batuna (SVK)
2.Trajqe Markovski (NMK)
3.Muhamet Mudut (KOS)
Seniorët – F
1.Andrea Postudor (RUM)
2.Shega Hashani (KOS)
3.Lene Osmani
Seniorët – M
1.Batuhan Uluxhak (TUR)
2.Oleksey Naplokov (UKR)
3.Batuhan Shahin (TUR)
/Telegrafi/