Site icon Telegrafi

Prindërit iranianë drogojnë të birin, mbysin dhe e copëtojnë – gjithçka ndodhi pse ende ishte i pamartuar

Regjisorin londinez me prejardhje iraniane Babak Hormandin, 47-vjeç, e kanë mbytur dhe copëtuar prindërit e tij në qytetin Ektaban në pjesën perëndimore të Iranit.

Krimi është justifikuar si “vrasje nderi”. Hormandin i cili për shumë vite qëndroi në Londër, ishte kthyer në Iran për t’ju ligjëruar studentëve iranianë të kinematografisë, transmeton Telegrafi.

E policia ka gjetur pjesët e trupit të tij në qese të mbeturinave dhe në një çantë, duke arrestuar menjëherë prindërit e tij që kanë pranuar se e kishin mbytur të birin e tyre.

Mediat britanike raportojnë që Babak ishte grindur me babanë, i cili ishte nervoz se si i biri i tij në moshën 47-vjeçare ende nuk është martuar.

Mohamed Shahiari, gjykatës në Teheran, ka thënë se babai i Babakut ka pranuar se e kishte droguar të birin para se ta therte me thikë, duke e copëtuar në tualet me ndihmën e gruas e gjymtyrët e trupit i kishte mbështjell me qese të mbeturinave.

Akbar gjithashtu ka pranuar se tri vite më parë kishte mbytur edhe të bijën së bashku me dhëndrin. Pas pranimit të fajësisë, është dërguar në burg nga ku po pret vendimin e gjykatës.

Ai u arrestua së bashku me gruan, për bashkëpjesëmarrje në vrasjen e të birit. Policia kontrolloi shtëpinë e tyre dhe gjeti dëshmi se vrasja kishte ndodhur pikërisht atje.

Më vonë u shfaqen edhe pamjet e kamerave të sigurisë, ku shihet çifti bashkëshortor duke bartur çantën dhe qeset me gjymtyrët e trupit të birit.

I vrari ishte diplomuar në Akademinë e Arteve në Teheran në vitin 2009, dhe më pas kishte shkuar në Londër për të vazhduar studimet post diplomike.

Në Londër realizoi filma të metrazhit të shkurtër për përvojën e iranianëve në Perëndim që ishin kryesisht filma autobiografik. /Telegrafi/

 

Exit mobile version