Disa pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) gjatë ditës së sotme kanë prezantuar konkursin e fundit për pranimin e ushtarëve të FSK-së.
Ky prezantim është bërë në sheshin “Mehë Uka” në Mitrovicën e Jugut, shkruan Telegrafi.
Në një tavolinë janë vendosur disa posterë në gjuhën shqipe dhe serbe, të cilët paralajmërojnë hapjen e konkursit për pranimin e 300 pjesëtarëve të rinj të FSK-së.
Sipas pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, mosha obligative për pranimin e këtyre pjesëtarëve është 18 deri në 25 vjeç.
Kujtojmë që para ditëve, Ministria e Mbrojtjes ka hapur konkursin për pranimin e pjesëtarëve të rinj të FSK-së dhe se sipas njoftimit, ky konkurs është i hapur deri më 8 tetor. /Telegrafi/