Telegrafi

Presidenti i Vëllaznimit, Gashi: Nuk e lëshojnë Ismet Munishin, klauzola e largimit është 200 mijë euro

Ismet Munishi ka vendosur që të largohet sot nga skuadra e Vëllaznimit.

Munishi në një intervistë për gazetaolle.com ka rrëfyer arsyet e largimit duke thënë se nuk po largohet për shkak të krizës financiare.

Vëllaznimi në këtë edicion është përballur me krizë të madhe financiare derisa futbollistët nuk kanë marrë paga tash e dy muaj.

“Nuk po largohem për shkak të krizës financiare, por për shkak të pasojave që ka lënë kriza financiare. Më vjen shumë keq dhe jam i zhgënjyer që nuk kam arritur tua përmirësoje karakterin disa futbollistëve që deri pardje kanë qenë korrekt. Nuk i pranojë vendimet e lojtarëve edhe nëse kanë të drejt. Çfarë gabimi kanë bërë ata sot, do ta shohim në vazhdim. Më erdhi shumë keq që lojtarët fantastik po bien në ndikimin e lojtarëve që kontributin e tyre sivjet, e kishin shumë të bogël. Më vjen keq  të them, por jam i zhgënjyer me disa lojtarë”, ka thënë Ismet Munishi.

Vëllaznimi nën drejtimin e Munishit renditet në pozitën e tetë me 21 pikë

Ndërkaq, ka ardhur edhe reagimi i kryetarit të Vëllaznimit, Shkëlzen Gashit, i cili ka thënë se trajneri nuk do të largohet me asnjë kusht.

“Munishi është trajneri më i mirë në Kosovë dhe jeton në Prishtinë, por zemrën e ka në Vëllaznimi. Ai ka kontratë edhe 1-vit dhe nuk do ta lëshojmë. Ai vjen në Gjakovë çdo ditë duke i bërë nga 200 kilometra në ditë kurse disa lojtarë nuk deshën që të stërviten. Në ish-Jugosllavi më herët lojtarët kanë luajtur edhe pa para për Vëllaznimin. Kush do të rrijë le të rrijë, kush nuk do, i përshëndet kryetari i Vëllaznimit, Shkëlzen Gashi. Transferi i Ismet Munishit është 200 mijë euro. Ai po punon shumë dhe po nxjerrë shumë talentë”, tha i pari i Vëllaznimit, Shkëlzen Gashi.