Presidenti i Shri Lankës, Gotaya Rajapaksa, është larguar nga Maldivet me aeroplan të aviokompanisë saudite dhe është nisur drejt Singaporit, raporton BBC.
Një ditë më herët u raportua se ai u arratis në Maldive me gruan dhe dy truprojat, pas protestave të shumta që po zhvillohen në Shri Lankë si pasojë e krizës së madhe ekonomike.
Megjithatë nuk dihet nëse Rajapaksa do të qëndrojë në Singapor, apo do të përdor këtë vend përkohësisht për të vazhduar drejt destinacionit final.
Ai ishte zotuar se do të jap dorëheqje, por deri më tani nuk e ka bërë zyrtarisht një gjë të tillë, transmeton Telegrafi.
Presidenti gëzon imunitet nga persekutimi dhe besohet se arsyeja e largimit nga Shri Lanka, ishte se dëshironte të shmangte arrestimin e mundshëm pasi që të jepte dorëheqje.
E që nga largimi i tij nga Shri Lanka, kanë shpërthyer protesta të dhunshme ku deri më tani raportohet se ka humbur jetën një person dhe 84 tjerë janë lënduar në Colombo. /Telegrafi/