Telegrafi

Presidenti i Napolit, De Laurentiis lë të kuptohet për largimin e Spallettit

Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis ka lënë të kuptohet se trajneri Luciano Spalletti do të largohet këtë verë.

Tensioni midis De Laurentiis dhe Spalletti po rritet pasi trajneri është i pakënaqur me mënyrën se si klubi e trajtoi zgjatjen e kontratës së tij.

Napoli aktivizoi një klauzolë për të zgjatur qëndrimin e tij në klub deri në vitin 2024 duke informuar Spallettin përmes një e-maili.

Lexo po ashtu Spalletti në prag të largimit nga Napoli: Katër pasues të mundshëm, përfshirë Conte dhe Benitez

Trajneri i lindur në Certaldo priste një trajtim ndryshe pasi fitoi titullin e parë të Serie A në 33 vjet te Napoli dhe raportet e shumta në Itali thonë se 64-vjeçari do të largohet nga Stadio Diego Armando Maradona në fund të sezonit.

Edhe De Laurentiis u duk se konfirmoi largimin e trajnerit gjatë një ngjarjeje në Napoli të premten mbrëma.

“Spalletti është një as dhe asi duhet të ketë një fushë për të dhënë më të mirën e tyre”, ka thënë fillimisht presidenti i Napolit për La Gazzetta dello Sport.

“Ai e gjeti tek ne dhe gjithçka ka funksionuar mirë. Me siguri është më mirë nëse ai qëndron, por në jetë, liria është një e mirë e pamatshme dhe e paçmueshme, nuk duhet t’i këpus krahët askujt, pasi askush nuk duhet ta bëjë me mua”.

“Gjëja e rëndësishme është të jesh mirënjohës për atë që ka marrë”, përfundoi De Laurentiis.

 

Sipas Gazzetta dello Sport, Spalletti dhe De Laurentiis mund të takohen përsëri gjatë dy ditëve të fundit për të parë nëse është e mundur të vazhdojnë së bashku, por presidenti ka filluar tashmë kërkimin për një pasardhës.

Spalletti ka një klauzolë prej tetë milionë euro në kontratën e tij me Napolin. /Telegrafi/