Telegrafi

Presidenti i La Ligës kritikon klubet që themeluan Superligën evropiane: Ishte një grusht shtet ndaj futbollit

Themelimi i Superligës evropiane vazhdon të jetë temë diskutimi nga të gjithë aktërët e futbollit.

I fundit që ka folur për krijimin e kësaj lige ka qenë presidenti i La Ligas, Javier Tebas, i cili nuk është pajtuar asesi që kjo ligë të jetësohet.

Gjithsesi nga 12 skuadra sa ishin në fillim janë larguar Chelsea, Manchester City, Manchester United, Arsenal, Tottenham Hotspur, Liverpool, Atletico Madrid dhe Inter, derisa pjesë e saj kanë mbetur Milan, Real Madrid, Juventus e Barcelona.

Numri një i La Ligas ka thënë se nevojitet kontrollimi i shpenzimeve.

“Nëse u jepni këtyre klubeve më shumë para, lojtarët do të kenë shtatë makina Ferrari nga gjashtë që mund të kenë sot. Nevojitet kontrollimi i shpenzimeve, jo më shumë të ardhura”, tha Tebas.

Tutje presidenti i La Ligas ka deklaruar se themelimi i Superligës evropiane ishte një grusht shteti për futbollin dhe UEFA-n.

“Nëse do të ishte kaq e mirë për futbollin, ata nuk do ta bënin në mënyrë të fshehtë. Do të vepronin hapur, nëse do të ishte për të mirën e të gjithëve”.

“Pas 20 vitesh me kërcënime për një krijimin e një gare jashtë UEFA-s, më në fund erdhi, por u tret si sheqeri në ujë. Ne kemi parë reagimet dhe kjo është pozitive”.

“Ne nuk po nxitojmë për të sanksionuar klubet. Këta pronarë klubesh janë ndëshkuar në një farë mënyre nga reagimi e njerëzve që e duan futbollin”, përfundoi Tebas.

Gjithsesi ky projekt për momentin është ndaluar, por presidenti i Superligës evropiane, Florentino Perez ka thënë se në të ardhmen do të vazhdojë përsëri. /Telegrafi/