Telegrafi

Presidenti brazilian në frekuencë të njëjtë me gjyqtarin: Argjentinasit pyesin se pse ndodhi kjo në takimin me Brazilin?

Lionel Messi ka qenë tejet i zemëruar me gjyqtarin ekuadorian, Roddy Zambrano, i cili po akuzohet se në dy raste nuk ka treguar në pikën e bardhë në dobi të Argjentinës.

Kjo e fundit ka pësuar humbje në gjysmëfinalen e Kupës së Amerikës kundër Brazilit me rezultat 2-0, e cila ndeshje shkaktoi polemika shkaku i disa vendimeve kundërthënëse të gjyqtarit.

Tashmë kanë dalë edhe disa informata se në ndeshje, gjyqtarit nuk i ka funksionuar sistemi i komunikimit me dhomën e VAR-it. Edhe këtë e ka konfirmuar CONMEBOL, por që kjo nuk ka zgjatur shumë gjatë zhvillimit të takimit.

Portali brazilian, Globo beson se sigurimi i presidentit brazilian, Jair Bolsonaro, i cili ishte në ndeshjen e zhvilluar në Belo Horizonte, ka shfrytëzuar frekuencat e njëjta të radiolidhjeve sikurse gjyqtari kryesor.

Ndërmarrja e telekomunikacionit Anatel ndërhyri dhe zgjidhi problemin, por u dha të gjithë argjentinasve të drejtën për të dyshuar se pse ka ndodhur ky incident i vogël.

“Unë shpresoj se CONMEBOL do të sqarojë situatën, por mendoj se nuk do ta bënë këtë sepse Brazili kontrollon gjithçka. Është shumë e komplikuar”, tha Messi pas ndeshjes.

Lexo po ashtu Mediat ndërkombëtare: Messi kishte të drejt, Argjentinës iu mohuan dy penalti kundër Brazilit

“Ne pamë të njëjtën gjë si ju”, shkruan në njoftimin e federatës argjentinase në Twitter pas një rishikimi të VAR-it.

Ndryshe, organizatorët kanë reaguar duke thënë se sigurimi i presidentit nuk ka përdorur frekuencën e njëjtë si të gjyqtarit kryesor, por konfirmoi se kishte një problem të vogël me sinjalin që menjëherë e riparuan. /Telegrafi/