Telegrafi

Presidenti afgan dorëhiqet dhe ik jashtë vendit, talibanët do të emërojnë presidentin e tyre

Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, jozyrtarisht ka dhënë dorëheqje si president i vendit – për t’u zëvendësuar në këtë post nga lideri i talibanëve, shkruan The Guardian.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, talibanët morën nën kontroll të plotë kryeqytetin – Kabulin, pasi luftëtarët e tyre u urdhëruan të futen në qytet, derisa Shtetet e Bashkuara dërguan helikopterë e mjete të blinduara për të evakuuar diplomatët nga ambasada, transmeton Telegrafi.

Personeli i ambasadës amerikane është dërguar në një bazë në afërsi të aeroportit – duke i transportuar me helikopterë ushtarakë. E tym i zi është parë duke dalë nga kulmi i ambasadës, kanë njoftuar banorët e qytetit.

Në anën tjetër edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara kanë zhvendosur ambasadën e tyre në një lloj baze në afërsi të aeroportit.

E derisa presidenti afgan Ashraf Ghani është larguar nga vendi dhe është nisur drejt Taxhikistanit, burime diplomatike bëjnë me dije se ai ka dhënë dorëheqje dhe se brenda 48 orëve talibanët pritet të emërojnë për president liderin e tyre.

Nga zyra e tij këto pretendime nuk i kanë komentuar fare sikurse edhe lëvizjet e tij – për arsye të sigurisë. Megjithatë një pjesë e kabinetit të tij raportohet se të kenë ikur në Pakistan. /Telegrafi/