Komuna e Preshevës për herë të parë në historikun e saj, arriti që t’i detyrojë dy kompanitë e mëdha në Serbi, Telekomin serb dhe ElektroDistribucionin e Serbisë, që të paguajnë taksën për shtyllat elektrike që i kanë vendosur në Preshevë, që nga koha e krijimit.
Buxheti i komunës së Preshevës u rrit për 800 mijë euro, pasi kryetari i saj, Shqipërim Arifi, arriti pas shumë përpjekjesh që t’i inkasojë taksat nga shfrytëzimi i shtyllave që janë vendosur në këtë komunë, që nga momenti i krijimit të tyre në kompani.
Shumë prej 800 mijë eurove, është një shumë e jashtëzakonshme për Preshevën dhe buxhetin e saj, i cili në total gjatë këtij viti ishte 10 milionë euro. Shuma prej 10 milionë eurove u arrit pasi kryetari i Preshevës, Shqipërim Arfi, siguroi donacione në shumën prej 2.5 milionë euro, mbi buxhetin e rregullt që ishte afërsisht prej 7.5 milionë eurove.
Presheva, ishte qyteti i fundit në Serbi, i cili nuk merrte asnjë shumë nga këto dy kompani gjigante. “Buxheti komunal i Preshevës, vetëm sot, para pak çastesh i inkasoi në xhirollogarinë e vet 84.391.972.oo dinarë nga ElektroDistribucioni i Serbisë dhe 4.491.781 dinarë nga Telekomi serb, në total rreth 800.000.oo euro si obligim ligjor për shfrytëzimin e tokës Preshevare për infrastrukturën e EPS dhe Telekom”, konfirmoi kryetari i Preshevës, Shqipërim Arifi, i cili është njëkohësisht dhe kryetar i Alternativës për Ndryshim.
Sipas tij, kurrë më parë nuk ka ndodhur që këto dy kompani të paguajnë taksë, ashtu siç veprohet normalisht sepse njerëzit që kanë udhëhequr pushtetet e mëparshme, kanë parë interesat e tyre dhe kanë sakrifikuar inkasimin e taksës për të mirën e përgjithshme.
Presheva edhe pse ka një buxhet mjaft solid nga 7 deri në 10 milionë euro, prej vitesh nuk ka parë investime dhe kjo është një gjë që bie në sy qoftë nga vizitorët që kthehen sërish në këtë qytet apo nga banorët që kanë emigruar. /infopress/