Telegrafi

Premtimi i presidentit Al-Khelaifi: PSG do ta fitojë Ligën e Kampionëve

(Foto: Miguel A. Lopes/Pool via Getty Images/Guliver)

Presidenti i Paris Saint-Germainit, Nasser Al-Khelaifi, ka garantuar se klubi i tij do ta fitojë Ligën e Kampionëve në një të ardhme të afërt.

Këtë sezon, PSG u kualifikua në finale të garës më të madhe evropiane për herë të parë në histori, mirëpo pësoi nga Bayern Munichu në përballjen e Lisbonë.

Bavarezët fituan me golin e Kingsley Coman, ndërsa humbja e parisienëve ishte zhgënjyese kur kihet parasysh investimet e mëdha në lojtarë, si Neymar e Kylian Mbappe.

(Foto: Aurelien Meunier/Getty Images/Guliver)

Sidoqoftë, kreu i klubit është zotuar t’ua sigurojë tifozëve triumfin në sezonet e ardhshme të Ligës së Kampionëve.

“Jemi të pikëlluar. Nuk harrojmë se kemi bërë gjëra të mëdha këtë sezon. Në finale, humbëm 1-0, por kemi mundur t’i shënojmë dy ose tre gola”.

“Ishte shumë afër. Jam krenar me lojtarët e mi, patëm një sezon të shkëlqyer, një turne të mrekullueshëm këtu. Patëm gjithçka që na nevojitej për të fituar, por ky është futbolli”.

“Do të angazhohemi për të fituar në sezonin e ardhshëm. Sonte besojmë shumë më tepër sesa më herët. Jua premtoj se do ta fitojmë Ligën e Kampionëve”, ka deklaruar Al-Khelaifi për RMC Sport. /Telegrafi/