Përjetimet e komunitetit rom në Kosovë në periudhën pas qershorit të vitit 1999 pasqyrohen në shfaqjen “Jehonat e Heshtjes – Zemrat rome në Kosovë pas konfliktit”, që do të vihet në skenë të premten më 4 tetor 2024, prej orës 18:00, në Kinemanë Lumbardhi në Prizren.
Shfaqja, sipas njoftimit, është një instalacion artistik gjithëpërfshirës që kombinon rrëfimet dhe muzikën për të ndriçuar përjetimet e komunitetit rom në Kosovën pas konfliktit.
“Duke përfshirë aktorë dhe muzikantë, projekti paraqet rrëfime personale që eksplorojnë ndërthurjen e diskriminimit etnik, dhunës me bazë gjinore dhe rezistencës. Përmes bashkimit të muzikës ballkanike, tradicionale rome me tinguj bashkëkohorë, instalacioni ofron një përvojë të fuqishme emocionale”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.
Instalacioni artistik, që për kreatore ka aktivisten Urma Menekshe dhe për koordinatore Anita Plakollin, sipas njoftimit, nxjerrë në pah tri histori të pathëna që sfidojnë narrativat dominuese dhe mëtojnë të përfshijnë të rinjtë në avokim.
“Projekti synon të riformësojë e të vëjë në pah perceptimet ekzistuese mbi drejtësinë, të promovojë gjithëpërfshirjen dhe të fuqizojë zërat e margjinalizuar”, thuhet në njoftim.
Ky aktivitet është pjesë e projektit “Përfshirja e të Rinjve në Drejtësinë Tranzicionale përmes Perspektivës Gjinore”, të Fondacionit Jahjaga, mbështetur nga BE dhe zbatuar nga UNDP. /Telegrafi/