Por edhe kampionati i Premier Ligës është kampion në klasifikimin e golave të shënuar gjatë eliminatoreve. 123 gola nga 647 në total janë realizuar nga futbollistët e kampionatit ishullor. Bundesliga renditet pas tyre me 90 gola, ndërsa La Liga mban vetëm vendin e 4-ët me 38 gola, dy më tepër se Super Liga turke. Sulmuesi i “Tre Luanëve”, Wayne Rooney, është shënuesi më i mirë i kampionatit anglez në kualifikuese, me 7 gola.
Por, kapiteni i Junajtid dhe kombëtares e ndan këtë rekord së bashku me sulmuesin e Norwichit, Kylie Laferti dhe irlandezoveriorin e Sunderlandit, Stiven Fletcher (po me 7 gola).
Fundi i mrekullueshëm i fushatës kualifikuese të Polonisë falë Robert Levandovskit, bëri që ai ta mbyllte duke e barazuar rekordin e David Hili me 13 gola në eliminatore. Shifra e golave të bomberit polak të Bajernit mjaftoi për të lënë pas në renditje 29 kombëtare.
Prandaj nuk është çudi që Bayerni është klubi që realizoi më tepër me Lewandowskin dhe Mullerin, të cilët ndajnë 22 gola mes tyre dhe Alabën, i cili realizoi 4 të tjerë për Austrinë. Fakti që kampionët e botës, Gjermania u shortua me Gjibraltarin, një kombëtare e panjohur ende nga FIFA, ndihmoi në kauzën e Bayernit për ta dominuar këtë garë, ndërsa 6 prej 13 golave të Levës erdhën në portën e ekipit modest.
Pas Bayernit me 33 gola, renditet Reali me 18, të ndihmuar nga ecuria e shkëlqyer e Bejlit me Uellsin (7 gola), ndërsa Kristiano Ronaldo i ndihmoi modestish me 5 golat e tij për Portugalinë. Në Premier Ligë, klubi me më shumë gola të shënuar është Arsenali (16), që lë pas Junajtid me 12 gola (Felaini 4, Darmian 1 dhe Rooney 7).
Kampionët e Anglisë, Chelsea, numërojnë vetëm 9 gola në kualifikuese, 2 më pak se Norwich dhe Stoke City, ndërkohë që kampionët e Zvicrës, Bazeli, falë edhe kontributit të golit të sulmuesit të Kombëtares shqiptare, Shkëlzen Gashi, renditen në vend të 5-të, së bashku me Junajtid.
Vendet e Britanisë do ta kujtojnë “Euro 2016″ si një prej fushatave të kualifikueseve më të suksesshme me Irlandën e Veriut, Anglinë dhe Uellsin që prenë direkt biletën dhe Republikën e Irlandës që shpreson ta bëjë nga “play off”-i.
Por, ndërsa Anglia dhe Uellsi u udhëhoqën nga Rooney dhe Bale, shpërthimi i Lafertisë me Irlandën e Veriut ishte më pak i parashikueshëm. Sepse lojtari i Norwichit kishte shënuar përpara këtyre eliminatoreve vetëm 8 gola në 31 ndeshjet e tij me kombëtaren. Golat e tij për Norwichin u mjaftuan “kanarinave” për të lënë pas edhe Barcelonën, që kontribuoi në vetëm 7 gola, më pak sesa shënoi ish-sulmuesi i tyre për Suedinë, Zlatan Ibrahimovix (8).