Site icon Telegrafi

Prej të hënës nis punën çerdhja e re në Muzeqinë të Shtimes

Komuna e Shtimes me buxhet të nivelit qendror në vlerë prej 65 mijë eurosh ka përuruar një çerdhe të re në fshatin Muzeqinë, ndërkaq ajo do të funksionalizohet prej të hënës. Sipas drejtuesve të komunës së Shtimes, çerdhja plotëson kushtet për 40 fëmijë me një hapësirë prej 400 metra katrorë.

“Nga dita e hënë, fëmijët e fshatrave Muzeqinë, Vojnoc, Gjyrkoc, Rashincë dhe Gllavicë, tanimë kanë një strehë ku do të ndihen të lumtur, të sigurt e shumë të dashur, si në familje, në çerdhen e re “Albiona Asllani” në Muzeqinë”, thuhet në njoftimin e komunës së Shtimes.

Kujtojmë se gjatë përurimit të këtij objekti një ditë më parë ishte e pranishme edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit  Arbërie Nagavci e cila tha se fëmijët janë krijesa më e çmuar e më e dashur për të gjithë.

“Vitet e para të secilit fëmijë kanë rëndësi të jashtzakonshme në formimin e tyre. Të vetëdijshëm për këtë, përveç dashurisë që u japim atyre është detyrë e jona, si prindër, si të rritur, e si bartës të institucioneve që të krijojmë kushte për zhvillimin e duhur të tyre. Ndërtimi i kopshteve dhe çerdheve është njëri nga premtimet tona, për të cilat vazhdimisht jemi duke punuar. E gëzofshi çerdhen e re”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, kryetari i Shtimes Qemajl Aliu, ka thënë se po e bëjnë realitet këtë zotim dhe për herë të parë në këto treva po hapet një çerdhe që do të jetë shtëpia e edukimit të fëmijëve.

“Ky ambient i ngrohtë e i dashur do t’u ofrojë përkujdesje, dashuri e edukim të hershëm 40 fëmijëve të zonës, që janë e ardhmja për të cilët angazhohemi pa u lodhur, pa u ndalur e pa u kursyer përditë”, ka thënë midis të tjerash Aliu. /Telegrafi/

Exit mobile version