Ura e Fshajtë është zonë e mbrojtur natyrore në kanionin e Drinit të Bardhë dhe është monument natyre me karakter hidro-gjeomorfologjik.
Kjo urë gjendet në fshatin Fshaj dhe shtrihet mes komunës së Gjakovës dhe të Rahovecit.
Por, gjendja e Urës së Fshajtë në rrugën Gjakovë – Prizren prej disa muajsh vazhdon të jetë alarmante për të gjithë ata që e frekuentojnë këtë rrugë, duke paraqitur rrezik të vazhdueshëm.
Ura e Fshajtë ka rëndësi të madhe për qarkullimin dhe lidhjen e qytetit të Gjakovës me qytetet e tjera. Sipas qytetarëve që e frekuentojnë çdo ditë, rruga paraqet rrezik jo vetëm për makinat, por edhe për kalimtarët të cilën e kanë të domosdoshëm kalimin në atë urë.
Disa nga qytetarët po ashtu thonë që intervenimi për rregullimin e kësaj ure duhej të ishte bërë muaj më parë, pasi që në muajt e verës pritet të shtohet edhe fluksi i qarkullimit të makinave në këtë anë, duke rritur njëkohësisht edhe mundësinë për ndonjë aksident të mundshëm trafiku.
Theksojmë që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kishte deklaruar që intervenimi për sanimin e rrezikut në Urën e Fshajtë do të bëhej që në muajin prill të këtij viti, gjë e cila akoma nuk ka ndodhur. /Telegrafi/