Telegrafi

Pozita e tij si trajner i Man Utd po lëkundet, Ten Hag ka tri opsione në tavolinë për të ardhmen

Shumë media raportuan gjatë kësaj jave se përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate, është një kandidat potencial për të zënë vendin e Erik Ten Hag në ‘Old Trafford’, pas përfundimit të Euro 2024.

Përkundër faktit se reputacioni i tij u dëmtua në Ligën Premier për shkak të mungesës së rezultateve, mediumi anglez Daily Star raporton se Ten Hag ka disa opsionë në tavolinë, kryesisht nga elita e futbollit gjerman.

Ten Hag kishte punuar tek Bayern Munichu më herët gjatë karrierës së tij, dhe gjiganti gjerman mund ta punësojë atë në rast se dështojnë të arrijnë një marrëveshje me Xabi Alonson.

Bayer Leverkuseni në anën tjetër po insiston dhe kanë besim se spanjolli do të ‘injorojë’ Bayernin dhe Liverpoolin, por në rast largimi, Ten Hag do t’i përshtatej mirë stilit të tyre të lojës.

Përveç këtyre dy ekipeve edhe Stuttgarti raportohet se është një ndër klubet më të interesuara për shërbimet e Ten Hag në rast largimi nga Anglia.

Lexo po ashtu Lojtari i Man Utd pranon se është i pakënaqur, diskutoi privatisht me Ten Hag

Southgate ndërkohë këtë javë mori mbështetjen e dy legjendave të ‘Djajve të Kuq, Roy Keane dhe Gary Neville, të cilët aprovuan idenë e Jim Ratcliffe që trajneri anglez ta udhëheqë Unitedin në një të ardhme të afërt.

Duke marrë parasysh se e ardhmja e tij është në dyshim, tekniku holandez do të synojë që këtë sezon ta përmbyll me trofe dhe këtë mund ta bëjnë në FA Cup aty ku në gjysmëfinale do të përballen me Coventry City./Telegrafi/