Telegrafi

Pos Dodikut, Vulin dhe Daçiq gjenden në Moskë

Shefi i Agjencisë së Sigurisë Informative të Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq po marrin pjesë në konferencën ndërkombëtare të sigurisë në Moskë.

Moska është nikoqire e seancës plenare të Konferencës së 11-të Ndërkombëtare të Sigurisë, ndërsa të pranishmëve iu drejtua Sekretari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Nikolay Patrushev, i ndjekur nga Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, i ftuar nderi i ngjarjes.

Në seancë përveç tij kanë marrë pjesë edhe Vulin dhe Daçiq, raporton N1.

Milorad Dodik tha se populli serb u bë viktima e parë e hegjemonisë së faktorëve perëndimor dhe NATO-s. “Agresioni i parë i NATO-s u krye kundër Republikës Srpska, pastaj Serbisë, pastaj vendeve të tjera”, kujtoi ai.

Lideri i serbëve të Bosnjës vuri në dukje se sot e gjithë politika ndërkombëtare është në një dinamikë të përshpejtuar, po krijohet një rend multipolar me struktura të reja pushteti.

Lexo po ashtu Pretendimet e Dodikut janë absurde dhe dashakeqe, SHBA-ja nuk paraqet kërcënim për RS-në

Në këtë aktivitet në Moskë, përveç Serbisë dhe entitetit të BeH, Republika Srpska, mori pjesë edhe kryetari i Partisë Demokratike të Serbëve të Maqedonisë së Veriut, deputeti Ivan Stoilkoviq.

Pjesëmarrësit e konferencës diskutojnë tema që lidhen me sigurimin e sigurisë kombëtare, rajonale dhe globale.

Ndërsa kanalet ruse Telegram shkruajnë se pas takimit të djeshëm me presidentin e Federatës Ruse Vladimir Putin, Dodik foli sot në seancën plenare të Takimit të 11-të Ndërkombëtar të Përfaqësuesve të Lartë të ngarkuar me çështjet e sigurisë. /Telegrafi/