Site icon Telegrafi

PORTRETI

Poezi nga: Stanley Kunitz
Përktheu: Roland Gjoza

Nëna nuk e fali asnjëherë babanë
që vrau veten
në një mënyrë të çuditshme, në një kohë të vështirë
në parkun publik
në pranverë
kur priste të lindja unë.
Ajo e kyçi emrin e tij
në një skutë të errët të kabinetit të saj
dhe nuk e la të dilte jashtë
që unë të mos e dëgjoja kurrë.
Një ditë kur zbrita nga papafingoja
me një portret pasteli në duar
të një njeriu të huaj me buzë të trasha
me mustaqe të kreshpëruara
me sy bojë kafe të errët
ajo e rrëmbeu atë dhe e bëri copë e grimë
pa thënë asnjë fjalë
dhe më qëlloi në fytyrë.
Në moshën gjashtëdhjetë e katër vjeçare
unë ende ndiej
faqen që më djeg

Exit mobile version