Site icon Telegrafi

Portieri i Midtjylland bën gafën e vitit, pëson gol pas vetëm tetë sekondash të pjesës së dytë

Një numër i madh befasish kanë ndodhur mbrëmë (e enjte) në ndeshjet e Ligës së Evropës, ndërsa një prej më interesantëve është parë në Bukuresht ku FCSB ka mundur Midtjylland me rezultat 2-0.

Golat për skuadrën rumune i shënuan Florin Tanase (16’) dhe Daniel Birligea (46’), ndërsa goli i dytë do të jetë objekt i shumë diskutimeve në rrjetet sociale.

Danezët tentuan ta befasojnë rivalin duke kryer një veprim të koordinuar nga qendra, që do të thoshte se topi u dërgua te portieri, dhe të gjithë lojtarët sulmuan fushën e kundërshtarit.

Megjithatë, ekzekutimi shkoi keq pasi portieri Elias Rafn Olafsson priti më shumë seç duhej dhe lojtari kundërshtar iu afrua shumë.

Në momentin që tentoi të gjuante topin, ai goditi drejt tij dhe për fatin e tij të keq ai u hodh direkt para portës, ku Birligea vetëm e konfirmoi golin me gjoks.

Ndryshe, pas kësaj fitore, FCSB ka nëntë pikë pas katër xhirove të luajtura dhe është në pozitën e tetë, ndërsa Midtjylland është në vendin e 13-të me shtatë pikë.

Në xhiron e radhës, skuadra rumune pret Olympiacosin dhe Midtjylland do të presë skuadrën e Eintracht Frankfurtit. /Telegrafi/

Exit mobile version