Maqedonia e Veriut e ka pësuar humbjen e tretë në fazën kualifikuese për ‘Euro 2020’ duke pësuar në udhëtim te Polonia me rezultat 2-0.
Gjysma e parë nuk prodhoi gola, edhe pse vendasit patën iniciativën përmes Grzegorz Krychowiak e Piotr Zielinski, i cili e goditi shtyllën.
Polakët vazhduan të rrezikonin në pjesën e dytë duke filluar me rastet e Sebastian Szymanski dhe Arkadiusz Milik. Rezultati u zhbllokua në minutën e 74, kur Przemyslaw Frankowski reagoi më së miri në zonë për ta dërguar topin në rrjetë.
Goli i dytë u shënua nga Arkadiusz Milik dhe ishte i bukur. Sulmuesi i Napolit pranoi një top jashtë zonës dhe goditja e tij u ndal në rrjetë (80′).
Polonia është lidere e Grupit G dhe me 19 pikë të arkëtuara tashmë e ka siguruar kualifikimin e mëtutjeshëm. Gjasat e Maqedonisë së Veriut janë zvogëluar shumë pas kësaj humbjeje.
Vlen të theksohet se te skuadra mysafire nga minuta e parë luajtën Visar Musliu, Ezgjan Alioski dhe Egzon Bejtulai. /Telegrafi/