Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë po e zhvillon një fushatë vetëdijesimi për respektimin e rregullave dhe ndërgjegjësim të përbashkët në trafik me fokus këmbësorët.
Në këtë fushatë vetëdijësuese janë shpërndarë fletushka me këshilla dedikuar këmbësorëve me moton “Këmbësorë jeta nuk ri-kthehet” dhe duke ju bërë apel për kujdes banorëve me qasje në rrugën nacionale Mitrovicë- Prishtinë, zona e Vushtrrisë segmenti rrugor nga fshati Nadakovc deri në fshatin Gracë, shkruan Telegrafi.
“Policia, përveç masave preventive përmes policimit në komunitet në vazhdimësi po mbahen takime edhe me përfaqësues të fshatrave dhe drejtor të shkollave të asaj zone, duke përçuar mesazhe se të gjithë duhet të angazhohemi për një qasje të përgjegjshme dhe të kujdesshme duke e kuptuar se secili prej nesh, qoftë shoferë apo këmbësorë, luan një rol kyç në parandalimin e aksidenteve dhe ndërgjegjësim të përbashkët”, thuht në njoftim.
Ndërsa, ndaj kundërvajtësve/këmbësorëve të cilët nuk respektojnë rregullat e trafikut dhe kalojnë rrugën në mënyrë të pasigurt duke rrezikuar veten dhe pjesëmarrësit tjerë në trafik, policia do të ndërmerr masa ndëshkimore sipas dispozitave të ligjit për rregullat e trafikut rrugor.
Me qëllim të parandalimit të aksidenteve, në këto segmente rrugore janë angazhuar edhe njësi shtesë të trafikut rajonal dhe stacionit policor në Vushtrri. /Telegrafi/