Policia e Njësisë së Komunikacionit Rrugor ka nisur, që prej datës 21 janar 2025, zbatimin e planit operativ të koduar “Përdorimi i telefonit dhe rripi i sigurisë”. Ky plan ka për qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe ndërgjegjësimin e drejtuesve të mjeteve për respektimin e rregullave të trafikut rrugor.
“Fokusi kryesor i këtij plani është: Parandalimi dhe ndëshkimi i përdorimit të telefonit celular gjatë drejtimit të automjetit, si një ndër shkaqet e aksidenteve. Kontrolli i përdorimit të rripit të sigurisë nga drejtuesit dhe pasagjerët, për të garantuar sigurinë personale në rast aksidenti. Nga data 21-26 janar 2025 janë shqiptuar 89 gjoba për përdorim të telefonit dhe 37 gjoba për mos përdorim të rripit të sigurisë”, ka thënë Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë së Kosovës në regjionin e Ferizajt./Telegrafi/