Policia gjermane ka dalë në një konferencë për shtyp pas shpërthimeve që ndodhën në afërsi të autobusit të Borussia Dortmundit para ndeshjes kundër Monacos në Ligën e Kampionëve.
Ata kanë bërë të ditur se kanë gjetur një letër në afërsi të skenës së krimit dhe po përpiqen që ta vërtetojnë përmbajtjen e saj, të cilën nuk e kanë bërë publike.
Autoritet kanë konfirmuar se autobusi i Dortmundit ishte shënjestër e sulmit. Nuk është e qartë nëse përmbajtja e letrës i ka dërguar te ky konkludim, megjithëse ata kanë arsye të tjera për të dyshuar për këtë gjë duke qenë se akoma nuk e kanë konfirmuar nëse përmbajtja e letrës ka të bëjë me sulmin.
Njëherësh, policia ka bërë të ditur se ndeshja e të nesërmes (e mërkurë) do të zhvillohet nën masa të përforcuara të sigurisë.
Përmbajtja e letrës duket se ka të bëjë me marrjen e përgjegjësisë nga autorët e sulmit. Megjithatë, ritheksojmë se policia nuk e ka publikuar përmbajtjen e saj.
Njëherësh, policia ka treguar se shpërthimet kishin ndodhur në momentet kur autobusi i Dortmundit po kalonte pranë tyre, por akoma nuk dihet se si janë aktivizuar. Ata besojnë se dikush ka shikuar dhe e ka pritur momentin. /Telegrafi/