Site icon Telegrafi

Policia greke njoftoi se u sulmuan nga qytetarët, pamjet tregojnë të kundërtën – kjo nxiti mllef   

Qytetarët grekë janë përleshur me policinë në Nea Smyrni të Athinës, ku u arrestuan 11 persona dhe dy policë u lënduan.

“Rreth orës 14:50 të dielën, patrulla e policisë së trafikut shkoi në sheshin Nea Smirni, me qëllim që të kryej kontrolle rutinore që kanë të bëjnë me masat kufizuese me qëllim që të luftohet përhapja e mëtejme e COVID-19. Në këtë shesh raportohen shkelje të shumta të masave. E gjatë kontrollit, policia u sulmua pa shkaktuar kurrfarë provokimi. Janë sulmuar nga një grup prej 30 personave – ku si rezultat i kësaj janë lënduar dy policë”, thuhet në kumtesën e policisë së Athinës, transmeton Telegrafi.

Megjithatë, e përditshmja Kathimerini raporton se në rrjetet sociale janë publikuar pamje që tregojnë një rrëfim krejt tjetër – qytetarët që bisedonin të qetë me policinë – në mënyrë të befasishme janë sulmuar me shkopinj.

https://www.youtube.com/watch?v=qwsnQ5Uw1uM

Në një video shihet se si polici godet pa ndërprerë dhe pa pikë mëshire një të ri. E kjo ka nxitur reagime të ashpra të qytetarëve – ku më pas u mblodhën mbi 500 prej tyre për t’u përleshur me policinë. Ata përdorën gaz lotsjellës që të shpërndajë turmën.

Në anën tjetër Lëvizja për ndryshim, ka lëshuar një komunikatë në të cilën thuhet se janë të shokuar me dhunën e paparë të policisë.

“Kjo nuk ka mundur të ndodh spontanisht, por është bërë me urdhër të qeverisë, sigurisht sipas direktivave të kryeministrit Micotakis”, ka thënë zëdhënësi i Lëvizjes, Pavlos Hristidis. /Telegrafi/

 

Exit mobile version