Zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut ka kritikuar ashpër një aksion policor kundër trafikantëve të dyshuar të drogës në Rio de Janeiro, mes akuzave për abuzim dhe veprimeve të paautorizuara.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, banorët e Jacarezinho, një nga lagjet e varfra më të mëdha të qytetit, thonë se policia vrau të dyshuar që dëshironin të dorëzoheshin dhe hynë nëpër shtëpi pa urdhër.
Policia me këtë rast e ka mohuar që ka vepruar në mënyrë të paligjshme.
Operacioni më vdekjeprurës i policisë në historinë e qytetit ka lënë të vdekur 25 persona, duke përfshirë një oficer policie.
Zonat e mëdha të Rio de Janeiro-s, një nga qytetet më të dhunshme të Brazilit, janë nën kontrollin e kriminelëve, shumë prej tyre të lidhur me banda të fuqishme të trafikut të drogës.
Bastisja, me rreth 200 oficerë policie dhe një helikopter të blinduar me një snajper, filloi në orët e para të së enjtes.
Policia hyri në një favela – lagje e varfër – e kontrolluar nga Comando Vermelho, ose Komanda e Kuqe, një nga organizatat më të mëdha kriminale në Brazil.
Një helikopter televiziv filmoi të dyshuar të armatosur rëndë duke kërcyer nga çatitë, derisa banorët publikuan video në mediet sociale duke treguar shkëmbime të forta zjarri, dhe pretendojnë se policia pushtoi shtëpitë e tyre dhe përdori dhunë të tepruar. /Telegrafi/