Policia e Laosit ka sekuestruar një sasi rekord droge të paligjshme në rajonin e Trekëndëshit të Artë, konfirmuan të enjten dy burime sigurie në Tajlandë, në atë që Kombet e Bashkuara thanë se ishte kapja më e madhe e vetme e drogës në Azi.
Më shumë se 55 milionë tableta metamfetamine dhe mbi 1.5 ton metamfetaminë kristal u kapën nga policia e Laosit, e cila ndaloi një kamion që transportonte arka birre në Bokeo veriore, që kufizohet me Tajlandën dhe Mianmarin, thanë të dy burimet për reuters, citon cnn.
Jeremy Douglas, përfaqësues rajonal i Azisë Juglindore për Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), tha se zbulimi ishte “deri më tani konfiskimi më i madh në historinë e Azisë Lindore dhe Juglindore”. Autoritetet në Laos nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës së Reuters për koment.
Trekëndëshi i Artë – një zonë në verilindje të Mianmarit që takohet me pjesë të Tajlandës dhe Laosit – ka një histori të gjatë me prodhimin e drogës.
Ajo ka shërbyer si një qendër prodhimi masive për stimuluesit e llojit amfetamine, veçanërisht metamfetaminën, të përdorur nga sindikatat aziatike të krimit me rrjetet e shpërndarjes që arrijnë deri në Japoni dhe Zelandën e Re. /Telegrafi/