Në ambientet e Shkollës së Mesme të Ulët “Marin Barleti” u mbajt sot një debat i organizuar nga njësiti sektorial dhe ai i komunitetit të Stacionit Policor në Gjilanit, me temën “Siguria në shkolla”.
Në këtë debat morën pjesë kryesia e nxënësve nga të gjitha shkollat e mesme të qytetit, drejtori i Arsimit i Komunës së Gjilanit, drejtorët e shkollave dhe përfaqësues nga këshilli i prindërve.
Ky aktivitet vjen si pjesë e një bashkëpunimi të vazhdueshëm ndërmjet njësisë së komunitetit të policisë dhe këshillave të nxënësve, me qëllim diskutimin e sfidave që lidhen me sigurinë në shkolla dhe identifikimin e zgjidhjeve për parandalimin e dukurive negative.
“Siguria në shkolla është një prioritet i përbashkët dhe kërkon angazhimin e të gjitha palëve, nga nxënësit dhe prindërit deri te mësimdhënësit dhe institucionet,” u theksua gjatë debatit.
Pjesëmarrësit diskutuan mbi sfidat e ndryshme me të cilat përballen shkollat në këtë aspekt, duke përfshirë dhunën, sjelljet devijante dhe nevojën për rritjen e ndërgjegjësimit.
Aktiviteti përfundoi me rekomandime konkrete për përmirësimin e masave parandaluese dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional. /Telegrafi/