Site icon Telegrafi

Policia izraelite bastis zyrat e Al Jazeera në Jerusalem

Policia ka bastisur zyrat e Al Jazeera në Jerusalem, ka njoftuar një zyrtar izraelit.

Bëhet e ditur se oficerë me rroba civile janë parë duke çmontuar pajisjet e kamerës së një dhome në hotelin Ambassador.

Siç raportohet, hoteli ndodhet në Jerusalemin lindor dhe është përdorur si zyrë de fakto nga vetë televizioni.

Bastisja vjen pasi kabineti i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, së fundmi ka votuar në mënyrë unanime mbylljen e zyrave të Al Jazeera.

Menjëherë pas vendimit, transmetuesit satelitor dhe kabllor e kanë larguar kanalin.

“Në përputhje me vendimin e qeverisë, transmetimet e kanalit Al Jazeera në Izrael janë ndalur”, ka njoftuar shërbimi satelitor Yes.

Lexo po ashtu Izraeli ia ndalon punën televizionit Al Jazeera

Veprime të ngjashme thuhet të ketë ndërmarrë edhe shërbimi kabllor Hot.

Ndryshe, bastisjeve u janë bashkuar edhe disa ushtarë izraelitë të cilët së fundmi janë kthyer nga luftimet në Rripin e Gazës. /Telegrafi/

 

Exit mobile version