Site icon Telegrafi

Polemika mes dy lidereve të partive boshnjake për kompensimin e dëmeve të fermerëve në Prizren

Vendimi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit për miratimin e raportit të Komisionit komunal për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera, i votuar në mbledhjen e mbajtur me 19 dhjetor 2024, gjatë kësaj jave është bërë shkas për përplasjen mes dy lidereve politike boshnjake.

Vendimi në fjalë këtë javë është publikuar në ueb faqen e Komunës së Prizrenit.

Kryetarja e SDU-së, Duda Balje duke publikuar pjesë të këtij vendimi ka shprehur qëndrimin se kanë mbërritur edhe mjetet për kompensimin e dëmeve të kultivuesve të mjedrave, që veprojnë kryesisht në trevën e Luginës së Lumëbardhit (Zhupës).

“Të nderuar kultivues të mjedrave, ishte një nder për mua, kompensimin që e keni pritur gjatë pas motit të keq që shkatërroi të mbjellat tuaja ka mbërritur, së bashku po bëjmë gjëra të mira”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar kryetarja e NDS-it dhe zëvendëskryeministrja në detyrë, Emilija Rexhepi duke theksuar se Duda Balje qëllimisht po i mashtron qytetarët me informata të rreme.

“Raporti mbi dëmet, i hartuar para dy muajsh nga anëtarët e Komisionit komunal dhe i dorëzuar kryetarit Totaj përmes drejtoreshës për Emergjenca, vlerëson dëmet e shkaktuara nga përmbytjet dhe reshjet në 600,000 €. Asnjë cent nuk është paguar dhe komuna nuk i posedon këto mjete për t’i ndihmuar bujqit tanë! Duke publikuar një listë të rreme të “përfituesve”, Balje ka ushtruar presion të drejtpërdrejtë politik dhe ka manipuluar votuesit”, ka shkruar Rexhepi në reagimin e saj.

Në të njëjtën kohë ka paralajmëruar padi ndaj rivales së saj politike për “ndërhyrje të papranueshme në procesin zgjedhor”.

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit në seancën e mbajtur me 19 dhjetor 2024 njëzëri patën miratuar raportin e Komisionit komunal për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera.

Në këtë raport thuhet se dëmet janë vlerësuar për sektorin e bujqësisë, për periudhën janar – tetor 2024, me ç’rast vetëm dëmet nga breshëri në trevat e ndryshme të Komunës arrijnë vlerën prej mbi 630 mijë eurove, për 168 fermerë të prekur. Në raport figurojnë edhe dëmet nga ngricat, erërat dhe nga sëmundjet, që kapin vlerën prej mbi 17 mijë eurove.

“Zbatueshmëria e vendimit për miratimin e Raportit të Komisionit komunal për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera, do të bëhet nga organet kompetente konform dispozitave të Ligiit Nr. 04/L-027 për mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera, dispozitave të Rregullores (QRK)-Nr. 17/2015 për metodologjinë e vlerësimit të dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera, si dhe akteve tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi”, thuhet në nenin 3 të këtij vendimi.

Ndërkaq gjatë diskutimeve në seancën e Kuvendit të Komunës, drejtoresha për Emergjencë dhe Siguri, Ramize Sinanaj-Shala duke sqaruar se kompensimi bëhet nga niveli qendror pat kërkuar angazhimin e kuvendarëve në këtë drejtim.

“I lus të gjithë kolegët, ata që kanë mundësi, që të komunikojnë me zyrtarët në nivelin qendror në mënyrë që këto dëme të paguhen”, ka thënë ajo. /Telegrafi/

 

Exit mobile version