Poezi nga: Bajram Mjeku
Mbani vesh. Po vjen Kryezoti
ngjeshur e hijerëndë mbi vrançin e përhënë
po vjen me rreptimë përmes mjegullnajës
me skeptrin e fatit mbështjellë nën pelerinë.
Ora e ligë trokëlloi në dyert e cubave
janë ata që na lanë shakull pa një grosh
pa bukë e pa krip, pa plang e pa votër
shtëpitë na i kthyen me kulme teposhtë.
A ndjeni njerëz të mirë po vjen Kryezoti
po vjen mbinjeriu i epokës tonë
e cubat senatorë larg ia ndjenë gjëmën
ikën me lemeri dhe u fshehën në zezonë.
Ministrat plangprishës e cubat senatorë
u ngrysën në pallatin e perandorisë së shpifur
dogjën pergamenë, krime gjaku zhdukën
rikthyen kujtesën e tokës së djegur.
Në portat e kryeqytetit mbërrijti Kryezoti
troku i vrançit na zgjoi nga gjumi i rëndë
pastaj legjioni u rreshtua një për një
dhe mori në duar orën e fatit tonë.
Zogjt e kurvave u ngujuan mbrapa grilave
më zi se në burg, thonë është katakomb
kujtojnë plakën kërcune dikur në një kohë,
si e pat hëngër Shkodrën me një dhëmb.