Shkencëtarët kanë bërë pëlhura nga polietileni dhe thonë se në këtë mënyrë mund të zvogëlojnë ndotjen nga plastika dhe ta bëjnë industrinë e modës më të qëndrueshme.
Politeni është një plastikë e kudogjendur, që gjendet në gjithçka, nga qeset plastike te paketimet e ushqimit.
Tekstilet e reja mund të gjejnë përdorim në në veshjet sportive, dhe madje edhe në modën e nivelit të lartë, sipas studiuesve amerikanë. “Lecka” plastike është më miqësore me mjedisin sesa fijet natyrale dhe mund të riciklohet, thonë ata.
Dr. Svetlana Boriskina, nga departamenti i inxhinierisë në “Massachusetts Institute of Technology” në Kembrixh, SHBA, tha se qeset plastike mund të shndërrohen në pëlhura me performancë të lartë me një gjurmë të ulët mjedisore. “Nuk ka asnjë arsye pse qesja e thjeshtë plastike nuk mund të bëhet në fibra dhe të përdoret si një veshje cilësore“, tha ajo për BBC News.
Pëlhura është bërë nga fijet e polietilenit të endura në tezgjahet industriale. Studiuesit thonë se pëlhura është më pak e dëmshme për mjedisin sesa llojet e leshit, pambukut, lirit, mëndafshit, najlonit dhe poliestrës dhe mund të lahen në ujë të ftohtë, duke ulur më tej gjurmën e mjedisit.
Plastika mund të ngjyroset në ngjyra të ndryshme. Pëlhura ka potencial për përdorim në veshjet sportive, të tilla si trajnerë, jelekë dhe dollakë, thonë ata. Në planin afatgjatë, ai gjithashtu mund të ketë aplikime si një kostum hapësinor me performancë të lartë, i krijuar për t’u mbrojtur nga rrezatimi kozmik.
Duke komentuar mbi studimin, Dr Mark Sumner i Universitetit të Leeds tha se “Sfida themelore që unë shoh me këtë zhvillim, siç kemi parë me shumë zhvillime të tjera të reja të fibrave, është se sa mirë fibra përputhet me rehatinë, ndjenjën dhe kërkesat e konsumatorit. Nëse pëlhura ndihet e dyllëzuar, ose e ngurtë dhe i mungon komoditeti, atëherë konsumatorët nuk do ta blejnë produktin, dhe për këtë arsye, fibra ka përdorim të kufizuar për veshje”.
Industria e modës është një nga industritë më ndotëse në botë. Prodhimi i tekstilit konsumon sasi të mëdha uji dhe gjeneron miliona tonë mbeturina, si dhe 5-10% të emetimeve globale të gazeve serë në vit. /Top Channel/