Telegrafi

Po shkëlqen këtë sezon, Man Utd e shpërblen yllin e ekipit me kontratë të re

Manchester United po bëhet gati për t’i ofruar njërit prej yjeve të ekipit një kontratë të re pasi ai ka shkëlqyer deri më tani me fanellën e ‘Djajve të Kuq’.

United u rikthye sërish tek rezultatet pozitive gjatë vikendit që lamë pas, duke marrë një fitore bindëse me rezultat 3-0 ndaj Southamptonit në udhëtim.

Ky rezultat vjen pasi United shkoi në pushimin e parë me kombëtare të sezonit me vetëm një fitore, pasi kishin humbur paraprakisht dy ndeshjet ndaj Brightonit dhe Liverpoolit.

Sidoqoftë, përkundër startit të përzier të sezonit, një lojtar ka shkëlqyer në këto katër ndeshjet e para dhe për këtë arsye drejtuesit e klubit duan që ta shpërblejnë me kontratë të re.

Një raportim nga Manchester Evening News bën me dije se United do t’i ofrojë Amad Diallos një kontratë të re gjatë muajve në vazhdim.

Diallo momentalisht është në vitin e tij të fundit të kontratës, megjithatë, United e ka opsionin për ta zgjatur bashkëpunimin edhe për një vit më shumë.

Reprezentuesi i Bregut të Fildishtë ka shkëlqyer në katër nga pesë ndeshjet e Unitedit këtë sezon dhe për këtë arsye drejtuesit e klubit po shpresojnë që ta zgjasin bashkëpunimin me 22-vjeçarin sa më shpejtë që të jetë e mundur.

United e kishte transferuar Diallon nga Atalanta në tetor të vitit 2020 për një shumë prej 37 milionë eurosh./Telegrafi/