Një ligjvënës izraelit ka thënë se policia e rrahu atë ndërsa ai mori pjesë në një demonstratë kundër një vendbanimi hebre në Jerusalemin lindor.
Sipas Al Jazeera, përcjell Telegrafi, Ofer Cassif, një anëtar hebre i partisë kryesisht arabe, po merrte pjesë në një protestë kundër zgjerimit të një vendbanimi hebre në Sheikh Jarrah, një lagje palestineze e Jerusalemit Lindor.
“Ata filluan të më rrahin, më thyen syzet … ata u çmendën”, citohet të ketë thënë Cassif të premten në pamjet e Channel 13.
“Ata as që brengoseshin që unë jam një anëtar i parlamentit”, tha ai.
ח”כ עופר כסיף מהרשימה המשותפת הותקף על ידי שוטרים במהלך הפגנה בשכונת שיח’ ג’ראח במזרח ירושלים@SuleimanMas1 pic.twitter.com/QZMzcUnGbl
— כאן חדשות (@kann_news) April 9, 2021
Ndërkohë Cassif shfaqet në një video tjetër me një sy të ënjtur, këmishën e shqyer, duke mbajtur një set të thyer syzesh.
Zëdhënësi i Cassif, Itai Aknin i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP se ligjvënësi i lënduar ishte dërguar në spital dhe se demonstrata kishte qenë “paqësore dhe e qetë” para se të vinte policia.
Por një deklaratë e policisë tha se hetimet fillestare treguan se një protestues kishte “sulmuar një nga oficerët”.
“Sulmuesi” u la i lirë pasi “u bë e qartë se ishte një anëtar i parlamentit”, ishte shtuar në deklaratë. /Telegrafi/