Elvir Muriqi ka një histori shumë të veçantë. Ai ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 1996, ndërsa në Kosovë ishte shpallur kampion në kikboks që në moshën 15-vjeçare. Ka emigruar në Bronks të Nju Jorkut, lagja e famshme nga e cila kanë dalë shumë boksierë të klasit botëror…
Në fakt edhe në Shtetet e Bashkuara fillon me sportin e kikboksit dhe atë me mjaft sukses. Shpallet kampion i Amerikës Lindore si dhe kampion i tri shteteve federale amerikane New York, New Jersey e Konektikat. Të gjitha këto i arrin me një rekord prej 18 fitoresh të njëpasnjëshme pa pësuar asnjë humbje të vetme.
Pas kësaj fillon boksin amator duke boksuar në kategorinë gjysmë të rëndë dhe të rëndë. Shpërthimi i tij i parë në ringun e boksit ngjan në prill të vitit 1998 kur fiton në arenën e famshme të “Madison Square Garden” turneun prestigjioz “Golden Gloves”.
Jo rrallë boksieri shqiptar ka pasur kundër vetes përveç kundërshtarit në ring edhe faktorë të tjerë që kanë ndikuar direkt apo indirekt në epilogun e disa prej dueleve të tij.
Mund të na flisni për fëmijërinë tuaj, deri tek momenti që Elviri u takua me boksin…
Unë i përkas një familje bujare edhe përkrahëse në çdo aspekt… Babai është marr me sport, i kam dy vëllezër Elvisin dhe Avdylin edhe dy motra, Elvirën dhe Elindën. Babai Ramizi dhe nëna Rabija dhe të gjithë të tjerët kanë qenë të angazhuar që unë të merresha me sport, dhe jo vetëm me boks. Kam filluar me karate, jam marrë me gjimnastikë, futboll, kam ushtruar kickboxing, tani me boks…E falënderoj familjen time se po të mos kishte qenë angazhimi i tyre, se di se ku do të isha sot! Edhe më përkrahin deri në maksimum…
Cili ishte reagimi i familjes suaj, pasi kuptuan se do të merreni me boks?
Kur ia fillova të merrem me koks, në klubin e Pejës te Bekim Muqa, isha shumë i ri, 9 vjeç. Kam ushtruar një vit e gjysmë. Familja më ka përkrahur. Mbas një viti e gjysmë, ia fillova që të merrem me kick boxing, në klubin e kick boksit te Driton Kuka dhe i nderi Besnik Istrefi… kam ushtruar aty 5 vite. Në të njëjtën kohë jam marrë edhe me futboll, gjimnastikë…sporte luftarake. Edhe reagimi i familjes ishte që unë duhej të merresh vetëm me sport. Dhe këtë e kam bërë tërë jetën.
Dua të më thoni realisht, kur filluat të merreshit me boksin mendonit se do të arrinit deri këtu, pavarësisht se siç thonë "shpresa vdes gjithmonë e fundit", thellë në vetvete me shumë e shpresonit, apo e besonit këtë ndjenjën e suksesit të arritur?
Kurrë në jetë nuk e kam menduar që do të arrij këtu ku jam sot, porse e kam pasur përherë ndjenjën se në sport diçka do të arrij. Ama, të jesh në një vend të vogël si Kosova, as që të shkon mendja se do të boksosh, një ditë, me boksierët më të mirë në botë dhe të triumfosh psh, përballë Antonio Tarvarit, boksierit amator më të mirë të të gjitha kohëve në Amerikë, boksieri të parë që e ka mundur 3 herë kampionin e botës, Joy Rones, me nokaut, KO, në rundin e dytë.
Mua, si fëmijë, më ka inspiruar filmi “ROCKY”, ndërsa pas disa viteve boksova me njeriun që e ka luajtur rojin kryesor në “ROCKY 6”! Shpesh, thosha, mos jam në ëndërr, por ky është realiteti. Unë nuk do të ndalem derisa ta fitoj titullin e Kampionit të Botës në njërën prej 4 Federatave. Besoj që një ditë do ta arrij këtë synim, nëse nuk ma bëjnë të padrejtë.
Cilat emocione ju përshkruajnë në ring, kur ndiheni i rrethuar nga sportdashës, flamuj dhe zemra shqiptare, që ju inkurajojnë deri në fund?
Do të ndalem te tri meçe që më kanë inkurajuar deri në fund. Më 3 prill 1998, kur e kam fituar Dorëzën e Artë në Madison square garden, kam qenë i pari shqiptar fitues si 18 vjeçar… Që e kam ngrit flamurin ndërkombëtar, i pari, në Medison, shumë shqiptar më kanë përkrahur atë natë.
Momenti i dytë ka qenë kur kam boksuar me Samy Amad më 2002, kur pas 4 nokdaunave, me nokaut teknik në rundin e tretë, e fitova meçin. Atë natë, për herë të parë përjetova nokdaunin edhe arrita ta fitoj meçin. Ka qenë diçka e papërshkrueshme ajo natë. Dhe, lufta që i tregoi botës se kush është Elviri Muriqi, meçi me Antonio Tarver…. Kur kam hy në atë sallë kam parë turmën e madhe të shqiptarëve dhe kam dëgjuar këngën, gati më kanë lëshuar këmbët prej ndjenjave… Ishte një këngë patriotike që më ngriti gjakun para luftës, “Ky flamur po na thërret…Fadil Berisha…por shqiptarët dhe adhuruesit nuk më lanë ta dëgjoj nga brohoritjet e tyre…ndjenjë e papërshkrueshme.
Boksi është sporti më burrëror. Ju boksierët, normalisht jeni të ashpër në ring… Por doja të di, në një ditë të zakonshme, ç’domethënie ka ky sport për një boksier, është i pranishëm, apo thjeshtë boksi mbetet vetëm sporti i ringut?
Po boksi është sport burrëror. Por, shumica e boksierëve janë njerëz të qetë. Elviri është një njeri tepër i qetë kur bokson, por edhe në të përditshmen.
Cila ka qenë lufta më e ashpër…?
Lufta më e ashpër ka qenë me Samy Ahmed, më 23 korrik 2002, në New York, meçi i vitit në ESPN2 2002.
Cilat janë ndryshimet bazë midis boksit profesionist dhe atij amator?
Në boksin amator luftohet në 4 runda, ndërsa në atë profesional 4-12 runda, edhe pak ‘kaxiga’, pa kanotierë, dorëzat janë më të vogla. Në boksin profesional, sa më shumë që ta lëndosh kundërshtarin fiton pikë më shumë…
Cili është idhulli yt në boksin profesional?
Dikur Mike Tayson edhe Muhamed Alin, pastaj Roy Jonesin, por ka kaluar koha e tyre edhe tash, idol e kam vetveten.
Ambicia e çdo sportisti është arritja e suksesit maksimal. Sipas mendimit tuaj, që ta realizoj dikush këtë, përveç talentit ç’gjë tjetër nevojitet?
Talenti, pastaj disiplina që të punosh sa më shumë edhe një gjë që nuk e përmendin sportistët shumë: pushimi edhe ushqimi janë me rëndësi gati sa angazhimi!
Duke e parë nga këndvështrimi profesional, a mendoni se sporti i boksit vlerësohet aq sa duhet, duke pasur parasysh vetë faktin, që kopertinat e gazetave, revistave të ndryshme i pushtojnë futbollistët dhe më pak boksierët…?
Futbollin e vlerësojnë në Evropë, por në Amerikë boksi është më i adhuruar. Por, çdo sport e ka meritën e vet…
Të arrini të jeni kaq i suksesshëm, përkrahë talentit mendoj se keni patur dhe mbështetjen e disa njerëzve të dashur të cilët jo vetëm ju kanë ndihmuar, por dhe ju kanë stimuluar që të bëni një hap më tej, dhe në këtë pikë nuk i referohem vetëm familjes, por dhe atyre jashtë saj të cilëve ndoshta u jeni mirënjohës, mund të na përmendni ndonjë emër?
Së pari falënderoj secilin që më ka përkrahur në karrierën time… por s’mund të lë pa përmendur Shemi Kelmendin, Bekim Muçën, Driton Kukën, Besnik Istrefin, që më kanë ushtruar në Kosovë, pastaj Luis Ruiz, Ray, Pallilo, Teddy Atlas, Rallfei, Colin Morgan, Harold Knight, Chello, edhe trenerin që e kom tash, Buddy McGirt, trenerët e jetës sime dhe Victor Maqaren që ka ardhur në meçin e fundit që e kam pasur në Kosovë, menaxherin që e kam pas 8 vite Frank LoCascio dhe babën e ti, menaxherët Joe Duva edhe promotorët Star Boxing edhe Done King . Dhe, patjetër familjen, axhallarët, por më së shumti adhuruesit e mi…
Edhe pse keni ende shumë rrugë përpara…si çdo sport tjetër dhe boksi ka një "datë skadence". A keni menduar se ku do të ofroni kontributin tuaj më pas, të supozojmë në shërbim të gjeneratës së re te boksierëve?
Kur do ta mbaroj karrierën do të ndihmoj patjetër të gjithë boksierët shqiptar, për të dalë sa më të suksesshëm në boks.
Unë, do të merrem edhe me biznese tjera, por kam edhe 5 vite për t’u munduar që të hy në Libër të Ginisit si shqiptari i parë kampion i Botës në Pro Boxing në njërën nga Federatat WBC, WBA, IBF, WBO, por dëshira ime është të arrij WBC-në.
Juve si duket ju pëlqejnë më shumë modelet dhe gjithmonë. Në media shkruhet se tashmë në krah keni dhe po përjetoni një lidhje të suksesshme dashurie me 21-vjeçaren Roza Gough (Roza fitoi kurorën e më të bukurës në evenimentin "Elita Model Look").
Po, tash një vit e tre muaj jam në lidhje me Rosa Gough, një vajzë shumë e mirë, e thjesht. Pasi kishte mbaru “Fashion Week” në Itali edhe në Paris, ajo ishte në Kosovë 10 ditë. Pasi unë jam kthyer në New York, kam shkuar në vendlindjen e saj, në Republikën Dominikane. Jam shumë i lumtur me të, për respektin që ka ndaj meje dhe familjes sime…Është një manekine shumë e suksesshme, bashkëpunon me markat më të mëdha botërore të modës…
Çka vlerëson së pari kur të takohesh me një femër?
Së pari, kur ta shohësh një femër e vlerëson nga pamja, pastaj nga veset që i ka dhe, unë, ia shikoj duart çfarë i ka.
/Telegrafi/