Gjatë ditës së djeshme është mbajtur mbledhja e rregullt e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Jugut. Në këtë mbledhje pati shumë debate e mos-pajtime mes pozitës dhe opozitës.
Fillimisht ishte Faruk Mujka, asamblisti nga radhët e Vetëvendosjes (VV) që tha se kryetari i Komunës, Bedri Hamza, ka shikuar seriale turke dhe se në një formë “po bën seriale turke” lidhur me projektet infrastrukturore, derisa u shpreh se nuk po i trajton mirë asamblistët e partive opozitare, shkruan Telegrafi.
“Sa i përket trajtimit të asamblistëve, më beso asnjë kryetar nuk i ka trajtuar kështu asamblistët, do të thotë të mos i bësh fare ‘hesap’ as në Kuvend dhe as në aktivitete tjera. Ky është fakt dhe nëse është dikush që e thotë ndryshe, lirisht le të urdhëron”, ka thënë Mujka.
Ai ka thënë se Hamza “me këtë arrogancë” e ka hartuar buxhetin për këtë vit e që sipas tij, është “plagjiaturë” e buxhetit të vitit të kaluar.
“Me këtë trend të arrogancës kryetar, e keni hartuar edhe buxhetin, nuk keni bërë asgjë kreative, ndonjë risi. Nëse e shikon është plagjiaturë e pastër e buxhetit të vitit të kaluar. Këtë më së miri e shihni kur e krahasoni me buxhetin e vitit të kaluar, e që është krejtësisht i njëjti. Buxheti është 30.2 milionë euro që nuk është aspak pak, para 4-5 vjetëve i kemi pas 20 milionë euro, dy herë më pak buxhet për investime kapitale por mendoj që ka pasur dy herë më shumë punë atëherë se tash”, ka thënë tutje ai.
Mujka tregoi edhe disa premtime të kësaj qeverisje që sipas tij nuk janë realizuar, duke i cilësuar si “premtime reprizë” me ato të vitit të kaluar.
“E kemi pas që disa vjet një projekt strehimore për gratë që janë viktima të dhunës në familje, nuk e kemi. Kur kemi kërkuar të vendoset kulmi në Shtëpinë e Shurdhmemecëve, keni thënë që do ta ndërtoni komplet shtëpinë e tyre. Kemi thënë është rrënuar shkolla e muzikës, keni thënë menjëherë do të fillojmë ndërtimin e shkollës. Këto premtime janë ‘reprizë’ e premtimeve të vitit të kaluar…Ky projekt-buxhet është nënçmim për asamblistët, por edhe për qytetarët sepse pak po i konsideroni si të paditur dhe pa memorie. Mendoj që nuk e përkrahim këtë draft”, ka shtuar Mujka.
Lidhur me kritikat për buxhetin e këtij viti, kryetari Bedri Hamza tha se buxheti është ndërtuar duke respektuar Ligjin dhe qarkoren buxhetore, transmeton Telegrafi.
“Gjithmonë nevojat janë më të mëdha se mundësitë. Buxheti është ndërtuar duke e respektuar edhe Ligjin edhe qarkoren buxhetore, duhet t’i respektojmë kufijtë që i kemi marrë me qarkoren e dytë buxhetore. Përndryshe, nëse buxheti është aprovuar dhe procedohet jashtë kufijve të qarkores buxhetore, sigurisht që një gjë e tillë nuk pranohet dhe nuk bëhet pjesë e buxhetit të konsoliduar të Kosovës”, ka thënë Hamza.
Ndërsa, pasi Mujka e cilësoi Hamzën si “arrogant”, ai u shpreh se po të dinte që ka pak arrogancë brenda vetes do të luftonte që ta hiqte.
“Me ditë që kam një troh arrogancë në vetvete fort do të luftoja që ta hiqja sepse besoj që nuk është e shëndetshme, nuk është e mirë”, ka thënë ai, duke shtuar se i kupton plotësisht diskutimet pozitë-opozitë dhe faktin se gjithmonë do të ketë kundërshtime mes këtyre dy palëve.
Lidhur me çështjen e serialeve turke, Hamza zgjodhi që të ironizoi duke thënë se këto seriale janë me pak episode, por që vlerësimin në Netflix e kanë shumë të lartë.
“Për ta relaksuar pak, kam parë dhe kam përcjellë seriale turke, por vlerësimin në Netflix e kanë shumë të lartë, edhe nuk janë me shumë episode, janë me pak, por vlerësimin e kanë shumë të lartë. Një prej tyre është për Sulltan Mehmetin për pushtimin e Konstandinopojës, përnjëmend e ka notën afër 10-shit”, ka thënë tutje kryetari.
Për çështjen e Strehimores për gratë që janë viktima të dhunës në familje, Hamza tha se është përfunduar ndërtimi i saj dhe pritet që të bëhet përurimi i këtij objekti.
Ndërsa, për shkollën e muzikës, kryetari shtoi se parcela ekziston dhe se ajo parcelë nuk do të përdoret për asgjë tjetër përveç destinimit që ka, e që sipas tij, është shkollë e muzikës.
“Mjetet janë në buxhet, edhe në vitin e kaluar kanë qenë, janë planifikuar edhe për vitet vijuese. Është në procedurë, shkon ankesa, megjithatë e dimë sa është efikase dhe sa përgjigjet në kohë OShP-ja dhe me lëndët që janë duke u trajtuar”, ka theksuar Hamza.
Derisa për investimet nga niveli qendror, Hamza u shpreh se e vlerëson “çdo cent”.
“E vlerësoj sepse ka ndodh dhe pres që të ndodh edhe në të ardhmen. Sigurisht që gjithmonë kemi kërkesa dhe nevoja më shumë dhe unë pres që të ndodh”, ka theksuar kryetari i Komunës së Mitrovicës.
Hamza ka deklaruar se në Mitrovicë gjithmonë nevojat janë shumë të mëdha, duke theksuar se mendon që edhe pas 3-4 vjetëve do të ketë prapë punë për t’u bërë dhe asamblistët nuk mund të thonë që “na kanë mbetur para dhe nuk po dimë se ku t’i investojmë”.
Kryetari i kësaj komune u tregoi asamblistëve se çfarë kanë punuar si qeverisje, duke deklaruar se më shumë se 70 për qind e premtimeve tashmë janë të përmbushura.
“Ja dhe një ‘rafall’ por unë jam këtu që të tregoj se çfarë kemi punuar. Ne kemi folur për rrugën ‘Mbretëresha Teutë’, kemi folur për rregullimin e qendrave të mjekësisë familjare, kemi folur për rrugën ‘Ali Zeneli’, për rrugën ‘Lah Nimani’. Ne kemi folur për shtratin e lumit Ibër, kemi folur për rregullimin e shkollave dhe subvencionet. Unë kam dal me një program në fushatë zgjedhore, sot kurdo që maten indikatorët del që për dy vjet e gjysmë më shumë se 70 për qind e premtimeve janë të përmbushura, 20 për qind janë gjysmë të përmbushura dhe të filluara, 10 për qind janë që ende nuk kanë filluar”, ka potencuar ai.
Për çështje e buxhetit ka pasur kritika edhe nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), përkatësisht nga asamblistja Flutura Beka-Kamberaj.
“Nëse i krahasojmë të hyrat e planifikuara për buxhetin e vitit 2023/2025, 2024/2026 dhe 2025/2027, në këto tri planifikime kemi dallime në numra”, ka thënë Beka-Kamberaj.
Ajo është shprehur se kanë një buxhet “jo-premtues” për një zhvillim të qytetit dhe sigurim të zhvillimit të qëndrueshëm për të gjitha sferat që mbulon qeverisja lokale.
“Bazë e përcaktimit të prioriteteve në këtë planifikim buxhetor janë kërkesat e qytetarëve të komunës sonë, për mirëqenien e tyre. Mirëpo, nuk janë ngritur të gjitha kërkesat e tyre si prioritet i draft-buxhetit siç është theksuar. Sa i përket investimeve kapitale, buxheti më tepër është i orientuar nga infrastruktura e rrugëve, ndërsa nuk ka ndonjë projekt premtues për zhvillimin ekonomik”, ka përfunduar asamblistja nga radhët e LDK-së, Flutura Beka-Kamberaj. /Telegrafi/